19 Shk “Sa më herët të kursesh, aq më i madh është fitimi” / Mesazhi i Albana Bodes, Asistent Drejtore e Degës pranë Credins Bank, për të gjithë ata që e shohin pensionin larg
A po bëjmë mjaftueshëm për të pasur një të ardhme të qetë? Kjo është pyetja mbi të cilën ngrihet episodi i 7 i podcast-it të Credins Invest, “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!”.
E ftuar është Albana Bode, një nga personat kyç në promovimin dhe këshillimin për fondin e pensionit privat pranë Credins Bank. Përmes përvojës së saj të përditshme në degë si Asistent Drejtore Dege, Znj.Bode sjell qasjen që individët kanë për këtë fond, sikurse punën e vazhdueshme që bëhet për ndërgjegjësim.
Ajo bën të ditur se mes shumë produkteve bankare, fondi i pensionit privat zë një vend të rëndësishëm. “Ai prezantohet jo vetëm si një produkt financiar, por si një investim afatgjatë, për veten dhe familjen”, thekson Znj. Bode.
Por çfarë është fondi i pensionit privat?
Me fjalë të thjeshta, Znj. Bode e përshkruan si “një kursim afatgjatë që individi e akumulon vetë për të ardhmen, përtej pensionit shtetëror, për stabilitet financiar dhe një jetë më të qetë në moshën e pensionit”.
Pyetjes se si i prezantohet ky produkt personave të cilët nuk janë në dijeni për të, Znj.Bode i përgjigjet duke renditur të gjitha hallkat e procesit. Ajo thotë se fillimisht individëve iu bëhet një shpjegim i thjeshtë dhe i qartë për fondin e pensionit privat, më pas iu renditen benefitet dhe përfitimet konkrete, si dhe theksohet fleksibiliteti që ka produkti (nis me një kontribut fillestar mujor të cilin mund ta ndryshosh me kohën).
Sipas Znj.Bode, besimi është faktori kyç që çon drejt vendimmarrjes. Duket se, vendimmarrja për të patur një fond pensioni privat shkon përtej objektivave individuale. Znj.Bode tregon nga eksperienca e saj se shumë prindër kanë zgjedhur të investojnë që herët për fëmijët e tyre, duke krijuar një bazë të sigurt për të ardhmen e tyre financiare.
Ndërsa sfida më e madhe mbetet mentaliteti se pensioni është larg dhe s’ka arsye përse të investohet në të tashmen, ajo i bën thirrje kujtdo me këtë mendim: “Duhet të investosh sa më shpejt për përfitime sa më të larta nesër!”
Në përmbyllje të episodit, Znj. Bode cilëson se “fondi i pensionit privat është produkt financiar, por mbi të gjitha është produkt social sepse lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien, dinjitetin dhe qetësinë në moshën e tretë”.
Për të dëgjuar bisedën e plotë me Albana Bode, Asistent Drejtore pranë Credins Bank, dhe për të kuptuar më shumë mbi fondin e pensionit privat, ju ftojmë të ndiqni episodin e plotë të podcast-it të Credins Invest, “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!”, duke klikuar linkun më poshtë.