Blog

KARAKTERISTIKAT E FONDIT

Kuotat në Fondin e Investimit “Credins Premium” janë të emetuara në monedhën Lekë çdo blerje apo shlyerje kuotash në Fond do të bëhet në lekë. Shuma minimale e investimit është vetëm 2,000 Lekë, dhe kjo shumë mund të rritet me një vlerë e cila është minimalisht 1,000 lekë. Fondi i Investimit ofron fleksibilitet, sepse investitorët mund të investojnë me shumë të menjëhershme ose nëpërmjet një plani investimi periodik.

Likuiditet i lartë

Fondi ofron likuiditet të lartë, sepse anëtarët e fondit mund të tërhiqen në çdo kohë pa penalitet. Kryerja e pagesës në asete monetare, nga llogaria e Fondit në llogarinë e investitorit kryhet brenda 7 ditëve kalendarike nga dita e mbërritjes së kërkesës së vlefshme për shitje në Credins Invest.

Rrezik i ulët

Fondi ka një profil të ulët rreziku, në nivelin 2. Çdo investim apo normë kthimi e caktuar shoqërohet me rrezikun përkatës. Sa më e lartë të jetë norma e kërkuar e kthimit aq më i lartë është rreziku i ndërmarrë, dhe anasjelltas.

Manaxhim profesional i investimeve dhe mundësi diversifikimi në investim

Fondi menaxhohet nga profesionistë, të cilët bazuar në njohuritë dhe analizat e tyre identifikojnë investimet e përshtatshme në momentin e përshtatshëm. Ky proces ndikon në performancën e çmimit të fondit. Gjithashtu, menaxhimi profesional ndikon edhe në diversifikimin e fondit. Pavarësisht ekspozimit vetëm ndaj letrave me vlerë të emetuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, brenda këtij grupi fondi është i mirëdiversifikuar duke alokuar asetet e tij në lloje të ndryshme të letrave me vlerë, gjë të cilën nuk mund ta realizojë vetë një investitor.

Transparencë

Fondi ofron transparencë të lartë. Klienti pajiset me emër përdoruesi dhe fjalëkalim, në mënyrë që të aksesojë në çdo kohë dhe pa limit llogarinë personale në fond online, ku mund të ndjekë performancën e çmimit të kuotës dhe shpërndarjen e portofolit të investimeve të fondit.