Fondi i Investimeve Alternative (FIA) ёshtё sipërmarrja e investimeve kolektive, e cila siguron kapital nga një numër investitorësh, me qëllim investimin e tij në përputhje me një politikë të përcaktuar investimi, për realizimin e përfitimeve për investitorët, bazuar në ligjin 56/2020 “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”.
Fondi i Investimeve Alternative u ofrohet vetëm klientëve profesionistë dhe të kualifikuar, referuar dispozitave ligjore të Ligjit 56/2020 si vijon:
“Klient profesionist” ёshtё klienti që përmbush kriteret e mëposhtme:
a) Subjektet, të cilat licencohen ose njihen për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare:
- bankat dhe degët e bankave të huaja;
- firmat e investimeve;
- institucione të tjera financiare të licencuara apo të njohura;
- shoqëritë e sigurimeve;
- sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve;
- fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre fondeve;
- tregtuesit e mallrave bazë në formën e instrumenteve financiare dhe të derivativëve të mallrave bazë;
- firmat vendore që ofrojnë shërbime të investimeve;
- investitorë të tjerë institucionalë.
b) Ndërmarrje të mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret e mëposhtme:
- shuma totale e aktiveve në bilanc është të paktën 2,6 miliardë lekë;
- xhiroja neto është të paktën 5,2 miliardë lekë; ose
- kapitalet e veta janë të paktën 260 milionë lekë.
c) Njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.
ç) Investitorë të tjerë institucionalë, veprimtaria kryesore e të cilëve është investimi në instrumente financiare, përfshirë subjektet e dedikuara në titullzimin e aktiveve ose transaksioneve të tjera financiare.
“Klient i kualifikuar” është çdo person, juridik ose fizik, që kategorizohet si klient joprofesionist, por që, me kërkesë të tij, trajtohet si klient profesionist, kur përmbush të paktën dy prej kritereve të mëposhtme:
- klienti ka kryer transaksione në madhësi të konsiderueshme në tregun përkatës, me një frekuencë mesatare prej 10 operacionesh për tremujor, përgjatë katër tremujorëve të mëparshëm;
- madhësia e portofolit të instrumenteve financiare të klientit, përfshirë depozitat në para dhe instrumentet financiare tejkalon 65 milionë lekë;
- klienti punon ose ka punuar në sektorin financiar për të paktën një vit në një pozicion profesional, i cili kërkon njohuri të transaksioneve ose shërbimeve të parashikuara.
Fondet e Investimeve Alternative krijohen si:
Shoqëri Investimi, e cila ёshtё sipërmarrja e investimeve kolektive e themeluar si shoqëri aksionare, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.
Shoqëri Komandite, e cila ёshtё sipërmarrja e investimeve kolektive e themeluar si shoqëri komandite, në bazë të legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare (“shoqëri komandite e sipërmarrjes së investimeve kolektive”
Fond investimi pa personalitet juridik mbi bazë kontraktuale.
Fondet e Investimeve Alternative, administrohen nga shoqëria administruese e fondeve të investimeve alternative (SHAFIA), e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, veprimtaria e të cilës është administrimi i një ose më shumë fondeve të investimeve alternative dhe krahas kësaj, mund të marrë përsipër funksionet e administrimit dhe të marketimit të fondeve të investimeve alternative, sipas përcaktimeve në ligjin 56/2020 “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”.
Shoqëria Administruese Credins Invest ka katër fonde investimi alternative nën administrim:
- Fondin e Investimit Alternativ Sea Land Alternative Investment Fund – Shoqëri komandite SIK
Për më shumë detaje në lidhje me fondin vizito website
- Fondin e Investimit Alternativ Green View Alternative Investment Fund – Shoqëri komandite SIK
Për më shumë detaje në lidhje me fondin vizito website
- Fondi Credins Optimal ka qëllim t’i sigurojë investitorëve kthime të qëndrueshme, të ruajë kapitalin e investuar dhe të diversifikojë portofolin duke kombinuar produkte të strukturuara inovative me teknikat rigoroze të menaxhimit të riskut. Ky lloj investimi i sofistikuar është i dizenjuar të ndihmojë investitorët të arrijnë objektivat e tyre financiare në tregje me luhatshmëri të lartë.Fondi Credins Optimal ka nisur aktivitetin më 31.10.2024.
Me Vendimin e Bordit të AMF nr. 127, datë 31.07.2024, është miratuar regjistrimi i fondit të investimit alternativ Credins Optimal. Fondi Credins Optimal është një fond i hapur mbi bazë kontraktuale pa personalitet juridik, në monedhën EUR që i ofrohet vetëm investitorëve profesionistë dhe të kualifikuar
- Me Vendimin e Bordit të AMF nr. 194, datë 01.11.2024, është miratuar regjistrimi i fondit të investimit alternativ Credins Global Bonds. Fondi Credins Global Bonds është një fond i hapur mbi bazë kontraktuale pa personalitet juridik, në monedhën EUR që i ofrohet vetëm investitorëve profesionistë dhe të kualifikuar.
Fondi synon të menaxhojë kapitalin e akumuluar përmes një menaxhimi aktiv të portofolit të aseteve, me fokus kryesor në investimin në obligacione qeveritare dhe korporative në mënyrë direkte, ose përmes investimit në kuota të fondeve që investojnë kryesisht në obligacione qeveritare dhe/ose korporative në tregjet ndërkombëtare, të përshtatshëm për investitorë profesionistë dhe të kualifikuar.