24 Dhj Nga pensioni i gjyshërve tek pensioni yt: çfarë ka ndryshuar dhe ç’duhet të dish / Ekspertja Teuta Nunaj në një analizë të plotë
Si ka funksionuar pensioni në kohën e gjyshërve tanë dhe çfarë na rezervon e ardhmja? A mjafton pensioni publik për të përballuar kostot reale të jetesës? Sa të përgatitur jemi për të ardhmen tonë financiare?
Këto janë disa nga pyetjet që trajtohen në episodin e radhës të podcast-it të Credins Invest, “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!”, ku e ftuar është ekspertja e ekonomisë, Dr. Teuta Nunaj -Kortoçi.
Një bisedë e thelluar dhe e hapur për këdo që dëshiron të kuptojë më mirë e të mësojë më shumë për sistemin e pensioneve në Shqipëri dhe rolin që kemi si individë në ndërtimin e një pensioni dinjitoz për të ardhmen tonë.
Tre kolonat e pensionit dhe çfarë duhet të dimë për to
Në podcast, Dr. Nunaj shpjegon qartë lidhjen mes pensionit publik dhe pensionit privat, duke u ndalur te tre kolonat kryesore që ka një sistem pensionesh:
Kolona e parë – pensioni publik
Ndërtohet mbi kontributet që individi derdh gjatë gjithë jetës së tij aktive si i punësuar, i vetëpunësuar apo kontribues vullnetar. Këto kontribute administrohen nga institucionet shtetërore dhe pensioni publik përbën bazë kryesore të të ardhurave në moshën e pensionit, por aktualisht për shumicën e qytetarëve shqiptarë pensionistë nuk garanton mbulim të plotë të kostove të jetesës, që vijnë e rriten në mënyrë të vazhdueshme për çdo vit.
Kolona e dytë – pensioni profesional
Kjo kolonë lidhet me skemat e pensioneve të organizuara nga punëdhënësit. Kontributet janë të detyrueshme sipas marrëdhënies së punës dhe pensioni privat që përfitohet synon të plotësojë pensionin publik,duke krijuar një burim shtesë të ardhurash, që ul presionin mbi skemën shtetërore. Kjo kolonë nuk është e përfshirë ende në skemën e pensioneve në Shqipëri.
Kolona e tretë – pensioni vullnetar
Është një zgjedhje personale e individit, ku kontributet derdhen në mënyrë vullnetare në fonde pensioni privat. Kjo kolonë mundëson diversifikimin e të ardhurave në moshën e pensionit, ofron fleksibilitet, është e trashëgueshme dhe qytetari përfiton nga lehtësitë fiskale, duke ndihmuar në sigurimin e një pensioni tjetër në moshën e pleqërisë, më dinjitoz, e për një jetë më të qetë për qytetarët që e aplikojnë pensionin privat.
Pse pensioni publik nuk mjafton më?
Sipas ekspertes së ekonomisë, pensioni publik në kohën e gjyshërve tanë funksiononte mbi një realitet krejt tjetër ekonomik dhe demografik. Skema ishte e projektuar për një strukturë shoqërore më të qëndrueshme, ku njerëzit punonin për periudha më të gjata në të njëjtin sektor dhe koha mes viteve të punës dhe viteve të pensionit ishte më e balancuar.
Sot – thotë Dr. Nunaj – sistemi i pensioneve publike në Shqipëri po përballet me disa sfida madhore, si rënia e numrit të kontribuesve, rritja e pensionistëve, emigrimi i profesionistëve të mirëpaguar dhe i moshave aktive për punë (25-45 vjeç), si dhe rritja e kostove të jetesës dhe të ardhurat e kufizuara gjatë pensionimit, faktorë këto që ushtrojnë një presion të vazhdueshëm mbi skemën publike të pensioneve.
Megjithatë këto sfida, sipas saj, nuk duhen parë si probleme të përhershme, por si “projekte” që kërkojnë zgjidhje konkrete dhe afatgjata.
Modele ndërkombëtare dhe mësime për Shqipërinë
Podcast-i ndalet gjithashtu te modelet ndërkombëtare të pensioneve, nga SHBA-ja, ku pensioni privat ka një rol kyç, tek Europa Veriore dhe modeli bismarkian, model ky që aplikohet edhe në Shqipëri.
Mesazhi është i qartë: “Nuk ka modele perfekte, por ka sisteme që funksionojnë më mirë kur tregu i punës është i qëndrueshëm, informaliteti është i ulët dhe kontributet janë të mjaftueshme për skemën e pensioneve.”
Për të dëgjuar analizën e plotë dhe këshillat praktike të ekspertes së ekonomisë, Dr. Teuta Nunaj-Kortoçi, ju ftojmë të ndiqni podcast-in e plotë duke klikuar linkun më poshtë.