03 Mar “Investo sot për një pension më dinjitoz nesër” / Mesazhi i Përgjegjëses së Marrëdhënieve me Klientët pranë Credins Invest
Episodi i 8-të i podcast-it “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” trajton rëndësinë e kursimit që në moshë të re dhe ndryshimet mes pensionit privat dhe atij shtetëror; nevojën e madhe për të patur të ardhura ekstra, krahas të ardhurave të përftuara nga pensioni shtetëror.
E ftuar në këtë episod është znj. Entela Lani, Përgjegjëse e Njësisë së Marrëdhënies me Klientët pranë Credins Invest. Ajo shpjegon avantazhet konkrete të fondit të pensionit privat, duke e cilësuar atë jo vetëm si një instrument financiar, por edhe si një mbështetje sociale për të ardhmen.
Znj. Lani tregon se është vetë pjesë e fondit prej 14 vitesh, falë një iniciative të ish-punëdhënësit të saj. Ajo kujton se dikur informacioni për pensionet private ishte i kufizuar dhe njerëzit ishin skeptikë. Sot, sipas saj, informacioni është më i aksesueshëm dhe ndërgjegjësimi financiar është rritur, megjithatë sfida kryesore mbetet ndërtimi i besimit.
Pse është i rëndësishëm pensioni privat?
Ndryshe nga pensioni shtetëror, fondi i pensionit privat:
- Shton të ardhurat pas daljes në pension
- Ndihmon në ruajtjen e standardit të jetesës
- Ofron më shumë siguri financiare
- Është i trashëgueshëm
Përfitimi fiskal, një avantazh i menjëhershëm
Një nga përfitimet kryesore është lehtësia fiskale. Për individët, kontributi në fondin e pensionit vullnetar zbritet nga paga bruto për efekt tatimi, duke sjellë kursim të menjëhershëm. Edhe për punëdhënësit ka përfitim: kontributet për punonjësit njihen si shpenzim i zbritshëm, duke krijuar avantazh fiskal dhe njëkohësisht një formë motivimi për stafin.
Fuqia e kohës dhe interesit të përbërë
Znj. Lani thekson se koha është faktori më i rëndësishëm. Sa më herët të nisë kursimi, aq më i madh është rezultati në fund. Falë interesit të përbërë, fitimi llogaritet jo vetëm mbi shumën e investuar, por edhe mbi interesin e grumbulluar ndër vite. Kjo krijon një rritje progresive të kapitalit. Edhe pasi fillon të marrë pensionin, shuma e mbetur vazhdon të investohet dhe të gjenerojë interesa.
Dy persona, dy zgjedhje, dy rezultate
Përgjatë podcast-it, Znj. Lani sjell vazhdimisht shembuj dhe një prej tyre është ajo e dy personave me mosha përkatësisht 25 dhe 45 vjeç, të cilët vendosin të kursejnë. Ajo thekson se diferenca 20-vjeçare mes tyre përkthehet në një diferencë të madhe në kapitalin përfundimtar, pikërisht për shkak të kohës dhe interesit të përbërë. Mesazhi është i qartë: edhe kontributet e vogla, kur nisin herët, bëjnë një ndryshim të madh në të ardhmen.
Në përfundim, Znj. Lani thekson se fondi i pensionit privat nuk është thjesht një produkt financiar, por një strategji personale për siguri, dinjitet dhe cilësi jete në moshën e tretë.
Episodin e plotë të podcast-it të 8-të të “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” mund ta ndiqni në kanalin tonë në YouTube si dhe çdo të premte në Radio Wave Tirana, 108 FM, ora 17:40.