14 Pri “Sa dinë të rinjtë për paratë?” / Profesori i Ekonomisë: Ata ndodhen mes interesit për investim dhe mungesës së edukimit financiar
Episodi i 12-të dhe përmbyllës i podcast-it “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” sjell në fokus një reflektim të drejtpërdrejtë mbi marrëdhënien që të rinjtë kanë sot me paratë, kursimin dhe investimin.
I ftuar është Prof. Dr. Artur Ribaj, Pedagog dhe Ekspert i tregjeve financiare, i cili, bazuar në përvojën e tij të gjatë me studentët, evidenton një paradoks të qartë: interesi për financat është rritur, por njohuritë praktike mbeten të kufizuara.
Interes i lartë, por njohuri të pakta
Sipas tij, të rinjtë tregojnë gjithnjë e më shumë kuriozitet për investimin, por shpesh orientohen drejt instrumenteve të sofistikuara dhe me risk të lartë, pa zotëruar konceptet bazë.
Ai thekson se shumë prej tyre tërhiqen nga tregjet e kriptos, duke i parë si mundësi të shpejta fitimi, ndërkohë që nuk kanë ndërtuar ende një kulturë të thjeshtë kursimi apo menaxhimi të të ardhurave.
“Nëse nuk njihen produktet bazë dhe konceptet elementare, është e vështirë të flasim për një menaxhim të shëndetshëm financiar,” shprehet Prof. Ribaj.
Kursimi si hap i parë
Prof. Ribaj nënvizon se gjithçka nis nga disiplina e përditshme financiare. Edhe me të ardhura modeste, sipas tij, individët duhet të krijojnë një kulturë kursimi.
Ai sugjeron vendosjen e rregullave të thjeshta, si ndarja e një pjese të të ardhurave për kursim, duke e parë këtë jo si sakrificë, por si një investim për të ardhmen. Në këtë kuadër, fondet e pensionit privat mbeten një alternativë e qëndrueshme, sidomos për shkak të përfitimeve afatgjata dhe avantazheve fiskale.
Edukimi financiar: një nevojë që shkon përtej individit
Profesori e konsideron mungesën e edukimit financiar si një problem të gjerë shoqëror, që nuk lidhet vetëm me të rinjtë, por edhe me sistemin arsimor dhe institucionet.
Ai thekson se iniciativat aktuale janë të pamjaftueshme dhe se nevojitet një qasje më e strukturuar, siç është Strategjia Kombëtare për Edukimin Financiar, e cila duhet të përfshijë të gjithë aktorët dhe të zbatohet në formë reale dhe të qëndrueshme për të dhënë rezultate konkrete.
Sipas Prof. Ribaj, mungesa e njohurive financiare reflektohet edhe në vendimmarrje të gabuara, si marrja e kredive për konsum afatshkurtër apo mungesa e një rezerve financiare për situata të paparashikuara.
Kujdes ndaj investimeve të rrezikshme
Një tjetër shqetësim që i ftuari ngre është ndikimi i rrjeteve sociale në sjelljen financiare të të rinjve. Ai paralajmëron se promovimi i investimeve me fitime të shpejta shpesh nuk mbështetet në baza të qëndrueshme ligjore apo financiare.
Në këtë drejtim, ai këshillon që të rinjtë t’u drejtohen institucioneve të licencuara dhe produkteve të rregulluara, duke shmangur ekspozimin ndaj rreziqeve të panevojshme.
Ndërtimi i besimit dhe vizionit afatgjatë
Në përmbyllje, Prof. Ribaj thekson se investimi nuk duhet parë si një hap i madh dhe i menjëhershëm, por si një proces gradual. Fillimi me shuma të vogla, testimi dhe krijimi i një objektivi të qartë janë elementë kyç për suksesin financiar.
Ai nënvizon se një shoqëri me njohuri më të mira financiare është jo vetëm më e qëndrueshme ekonomikisht, por edhe më e përgatitur për të ardhmen.
Episodin e plotë të podcast-it “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” mund ta ndiqni në kanalin tonë në YouTube, si dhe çdo të premte në Radio Wave Tirana, 108 FM, në orën 17:40.