Blog

 

Nga kursimi tek pensioni: Si e menaxhon brezi i ri paranë sot dhe a mendon për nesër?

Nga kursimi tek pensioni: Si e menaxhon brezi i ri paranë sot dhe a mendon për nesër?

Episodi i 11-të i podcast-it “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” sjell në fokus raportin e të rinjve me paranë dhe po ashtu perspektivën e tyre për të një ardhme financiare të qëndrueshme.

Të ftuar në këtë episod janë Megisa Shehu dhe Korin Harizaj, studentë të vitit të tretë në degën “Marketing, Publicitet dhe Marrëdhënie me Publikun” në Universitetin “Marin Barleti”, të cilët ndajnë eksperiencat e tyre personale me punën, sikurse qasjen që kanë për kursimin e të ardhurave.

Përvoja e hershme me punën dhe vlera e parasë

Të dy studentët theksojnë se përfshirja e hershme në tregun e punës ka qenë një faktor kyç në kuptimin e vlerës së parasë.

Ndonëse i ri në moshë, Korini rrëfen një rrugëtim interesant profesional, duke nisur nga përfshirja në biznes familjar e deri tek angazhimi aktual në media. Ai shpjegon se në një moshë të re është e vështirë të kuptohet vlera reale e parasë, por kjo ndryshon fill sapo krijohet pavarësia financiare.

Megisa ndan të njëjtin mendim, duke nënvizuar se disiplina financiare është një proces që kërkon përvojë dhe rrjedhimisht ndërgjegjësim.

Sipas Korinit, një nga sfidat më të mëdha për brezin e ri është balanca mes kursimit dhe shpenzimit, sidomos në një kohë kur shpenzimet spontane janë bërë pjesë e përditshmërisë.

Si e shohin të rinjtë pensionin?

Një nga pikat më interesante të diskutimit është se si ata e perceptojnë pensionin. Të dy studentët bien dakord se shumica e të rinjve fokusohen tek nevojat afatshkurtra dhe rrallë mendojnë për periudhën e pensionit. Korini gjithashtu shton se ekziston edhe tendenca për të rendur pas fitimit të shpejtë, duke lënë pas dore investimet afatgjata.

Fondi i pensionit privat, një investim me vlerë jo vetëm për individin

Megjithatë, si Korini, edhe Megisa, e konsiderojnë fondin e pensionit privat si një alternativë shumë të mirë për daljen në pension.  Sipas tyre, avantazhi më i madh i këtij produkti financiar është koha: sa më herët të fillojë investimi, aq më i madh është përfitimi në të ardhmen.

Mirëpo, Korini e sheh jo vetëm si një investim personal, por edhe si një kontribut në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.

Mesazhi për të rinjtë

Mesazhi që përcillet nga ky episod është i qartë: edukimi financiar duhet të nisë sa më herët, pasi ai luan një rol thelbësor në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të sigurt.

Të rinjtë inkurajohen jo vetëm të kursejnë, por edhe të kuptojnë vlerën e parasë, të planifikojnë me kujdes shpenzimet dhe të vendosin objektiva afatgjata. Duke zhvilluar këto zakone që në moshë të re, ata mësojnë të marrin vendime më të mençura financiare dhe të shmangin gabimet e zakonshme që mund të kenë pasoja në të ardhmen. Kjo qasje, i ndihmon ata të mos fokusohen vetëm tek nevojat momentale, por të mendojnë në mënyrë strategjike për mirëqenien dhe stabilitetin e tyre financiar në vitet që vijnë.

Episodin e plotë të podcast-it “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” mund ta ndiqni në YouTube, si dhe çdo të premte në Radio Wave Tirana, 108 FM, në orën 17:40.