Blog

 

“Ligji dhe mekanizmat që mbrojnë fondet e pensionit privat” / ish-Drejtoresha pranë AMF-së shpjegon kuadrin rregullator

“Ligji dhe mekanizmat që mbrojnë fondet e pensionit privat” / ish-Drejtoresha pranë AMF-së shpjegon kuadrin rregullator

Episodi i 10-të i podcast-it “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” trajton një temë thelbësore për këdo që mendon të ketë një pension të dytë, krahas pensionit shtetëror: sigurinë dhe kuadrin ligjor që rregullon fondet e pensionit privat në Shqipëri.

E ftuar në këtë episod është znj. Flora Musta, ish-Drejtoreshë e Mbikëqyrjes së Tregut të Kapitalit dhe Fondeve pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), e cila shpjegon se si mbrohen konkretisht individët që kontribuojnë në një fond pensioni privat.

Kuadri ligjor dhe roli i AMF

Sipas znj. Musta, fondet e pensionit privat dhe shoqëritë administruese konsiderohen entitete financiare me interes të gjerë publik, ndaj rregullohen nga një ligj i posaçëm. Kuadri ligjor për pensionet private në Shqipëri daton që në dhjetor të vitit 2009, kur u miratua ligji që përcaktoi për herë të parë mënyrën e krijimit, licencimit dhe mbikëqyrjes së fondeve të pensionit privat.

Znj. Musta thekson se që prej asaj kohe ligji është përmirësuar vazhdimisht për t’u harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është ligji 76/2023, i cili synon të rrisë mbrojtjen e anëtarëve dhe besimin e publikut ndaj këtij tregu.

Sipas saj, një nga risitë që solli ky ligj është përfshirja e fondeve të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur, përveç fondeve të hapura që ekzistonin më parë, cka nënkupton se tashmë një kompani apo një shoqatë e caktuar profesionistësh mund të krijojnë një skemë ku të bëjnë pjesë vetëm punonjësit e tyre.

Ndërkohë, AMF mbetet institucioni përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e gjithë tregut të pensioneve private, duke përfshirë shoqëritë administruese, fondet e pensionit, depozitarët dhe agjentët që promovojnë këto produkte financiare.

Si garantohet siguria e fondeve

Sipas znj. Musta, niveli i sigurisë së fondeve mbështetet në disa mekanizma të rëndësishëm ligjorë dhe institucionalë.

Një ndër elementet kryesore është parimi i ndarjes së aseteve: asetet e fondit mbahen të ndara nga asetet e shoqërisë administruese. Ky proces monitorohet nga depozitari, zakonisht një bankë e licencuar, e cila mban regjistrin e të gjithë anëtarëve dhe ndjek punën e përditshme të shoqërisë administruese në mënyrë që të jetë në përputhje me ligjin dhe prospektin e fondit (një dokument i qartë për tiparet dhe karakteristikat e fondit).

Znj. Musta shpjegon se nëse depozitari konstaton se “urdhri” i shoqërisë administruese për të investuar në një instrument financiar është përtej kërkesave të ligjit dhe prospektit të fondit, nuk e lejon këtë gjë.

Transparenca ndaj anëtarëve

Ligji 76/2023 ka rritur gjithashtu kërkesat për transparencë. Sipas znj. Musta, shoqëritë administruese janë të detyruara t’u ofrojnë anëtarëve informacion të rregullt mbi gjendjen e llogarisë, performancën e fondit dhe kontributet e derdhura.

Ajo thekson se çdo anëtar duhet të ketë akses në llogarinë e tij për të parë vlerën e aktiveve, çmimin e kuotës dhe historikun e kontributeve të paguara, si nga vetë individi ashtu edhe nga punëdhënësi.

Kushtet ligjore për tërheqjen e kontributit

Ligji synon që fondet të përdoren kryesisht për të siguruar të ardhura në momentin e daljes në pension. Megjithatë, sipas znj. Musta, nëse një individ vendos të tërheqë fondin para kohe, ligji parashikon penalitete që varen nga koha e qëndrimit në fond.

Për shembull, sipas saj, nëse një anëtar ka kontribuar për një periudhë të gjatë, penaliteti është relativisht i ulët, ndërsa për periudha më të shkurtra penalitetet mund të jenë më të larta. Kjo bëhet për të inkurajuar individët që të qëndrojnë në fond deri në momentin e pensionit.

Episodin e plotë të podcast-it “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” mund ta ndiqni në kanalin tonë në YouTube, si dhe çdo të premte në Radio Wave Tirana, 108 FM, në orën 17:40.