10 Mar “Lehtësitë fiskale që e bëjnë pensionin privat një vendim të zgjuar” / Menaxherja e Financave pranë Partners Albania në një shpjegim të detajuar
Episodi i 9-të i podcast-it “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” trajton një nga benefitet më të mëdha të fondit të pensionit privat: përfitimin fiskal si tek punonjësit, edhe tek bizneset.
E ftuar në këtë episod është znj. Jetmira Hysenaj, Menaxhere Financash pranë Partners Albania, e cila ndan përvojën e saj profesionale dhe shpjegon në formë të detajuar se si funksionojnë lehtësitë tatimore për kontributet në fondin e pensionit privat.
Njihuni me mënyrën
Përfitimi fiskal është një lehtësi tatimore që shteti shqiptar ua njeh individëve që kontribuojnë në një fond pensioni privat. Në praktikë, sikurse e shpjegon znj.Hysenaj, kontributi për fondin e pensionit privat zbritet nga paga bruto përpara se të llogaritet tatimi mbi të ardhurat personale. Kjo do të thotë se, duke u ulur baza e tatueshme, ulet edhe tatimi që paguan individi mbi të ardhurat e tij. Ky mekanizëm përkthehet në kursim të menjëhershëm.
Po aq i rëndësishëm është edhe përfitimi për punëdhënësit. Kontributet që biznesi paguan për punonjësit në fondin e pensionit privat njihen si shpenzim i zbritshëm për efekt të llogaritjes së tatim-fitimit, duke krijuar një avantazh fiskal dhe një formë shtesë motivimi për stafin.
Kufiri maksimal i përfitimit
Sipas legjislacionit në fuqi, përfitimi fiskal ka një limit maksimal të barabartë me pagën minimale vjetore.
Nga janari i vitit 2026, paga minimale mujore në Shqipëri është rritur nga 40,000 në 50,000 lekë të reja. Kjo do të thotë se limiti maksimal i kontributit që përfiton lehtësi fiskale është 600,000 lekë të reja në vit, si për punëmarrësin ashtu edhe për punëdhënësin.
Kontributet mund të jenë edhe më të larta se ky limit, por vetëm shuma deri në këtë nivel përfiton lehtësitë tatimore të parashikuara nga ligji.
Një element tjetër i rëndësishëm është se kontributet që punëdhënësi paguan për punonjësit nuk konsiderohen të ardhura personale për individin dhe, për rrjedhojë, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale.
Çfarë ndodh nëse tejkalohet limiti?
Në rast se një kontribuues paguan më shumë se paga minimale mujore në fondin e pensionit, shuma që tejkalon këtë kufi tatohet sipas rregullave të zakonshme të tatimit mbi të ardhurat personale.
Tërheqja e fondeve dhe penalitetet
Ligji parashikon që fondi i pensionit mund të tërhiqet në momentin e daljes në pension ose deri në pesë vite përpara moshës ligjore të pensionit. Megjithatë, nëse një individ vendos të tërheqë fondin para kohe, humbet përfitimet fiskale të marra deri në atë moment dhe mund të përballet edhe me penalitete nga shoqëritë administruese të fondit, të cilat varen nga koha që ka kaluar nga pagesa e parë e kontributit.
Si tatohen përfitimet në pension?
Kur një individ arrin moshën e pensionit dhe zgjedh të marrë shumën e akumuluar në mënyrë periodike, kontributet e derdhura ndër vite nuk tatohen. Tatimi aplikohet vetëm mbi kthimin nga investimi (fitimin) në momentin e shpërndarjes së shumave.
Roli i punëdhënësit dhe praktika në kompani
Znj. Hysenaj thekson se kur punëdhënësi e përfshin punonjësin në skemën e pensionit privat, ka një rol të rëndësishëm në proces. Ai funksionon si agjent tatimor për deklarimin e listëpagesës dhe për zbritjen e kontributeve për fondin e pensionit. Gjithashtu, sipas asaj që parashikon ligji për tatimin mbi të adhurat personale, punëdhënësi duhet të disponojë dokumentacionin përkatës, siç është kontrata e fondit të pensionit dhe konfirmimi i pagesës, për të reflektuar saktë këtë zbritje në listëpagesë.
Episodin e plotë të podcast-it të 9-të të “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!” mund ta ndiqni në kanalin tonë në YouTube si dhe çdo të premte në Radio Wave Tirana, 108 FM, ora 17:40.