10 Shk “Besoju syve të tu: Kontrolloje vetë ku shkojnë paratë e pensionit” / Drejtor i IT-së pranë Credins Invest: Teknologjia, aleat sigurie dhe transparence
Sa i sigurt është pensioni privat në epokën digjitale? Pyetja merr përgjigje në episodin e gjashtë të podcast-it të Credins Invest, “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!”. I ftuar në këtë episod është Elton Laci, Drejtor i IT-së pranë Credins Invest.
Ai ndan një panoramë të qartë mbi rolin thelbësor që ka Teknologjia e Informacionit në sistemin online të fondeve të pensioneve private, duke garantuar monitorim të vazhdueshëm dhe, rrjedhimisht, mbrojtjen e kursimeve të anëtarëve.
Sipas Elton Lacit, roli i IT-së në një fond pensioni privat është thelbësor, jo vetëm për funksionimin teknik të sistemit online, por mbi të gjitha për sigurinë e të dhënave digjitale dhe transparencën që u ofrohet anëtarëve përmes aksesit të tyre online, në çdo moment dhe nga kudo.
Si funksionon aksesi online i anëtarëve?
Në momentin që një individ bëhet pjesë e fondit të pensionit privat dhe blen kuotën e parë, ai pajiset me kredenciale personale (username dhe password) për të aksesuar llogarinë e tij online. Fjalëkalimi fillestar është 1-përdorimësh dhe duhet të ndryshohet menjëherë nga vetë anëtari.
Laci thekson se anëtarët nuk duhet të përdorin emrin, mbiemrin apo datën e lindjes së tyre si password; ai duhet të jetë unik dhe i personalizuar, në mënyrë që të minimizohet cdo rrezik digjital, si dhe t’mos ndahet me askënd, as me familjarë, e po ashtu t’mos ruhet si fjalëkalim nëpër pajisje personale.
Llogaria online ofron informacion të detajuar mbi:
- kontratën e lidhur me fondin e pensionit
- vlerën e kontributit fillestar
- vlerën e kontributeve në total (deri në momentin e aksesit online)
- interesat e përfituara (ditore, tremujore, që nga fillimi i fondit)
- transaksionet e kuotave
Siguria kibernetike dhe kontrolli i vazhdueshëm
Rreziqet kibernetike janë reale dhe në rritje por, sipas Lacit, sistemi online i fondeve të pensionit privat është ndërtuar me disa nivele sigurie.
Çdo veprim në llogaritë online të anëtarëve monitorohet përmes një audit lock, që regjistron:
- kohën e aksesimit
- vendndodhjen
- tentativat e pasuksesshme
Nëse një anëtar tenton të hyjë disa herë gabimisht, sistemi bllokohet automatikisht. Laci shton gjithashtu se bëhen analiza periodike të aksesit dhe të sjelljes në sistem, në orare dhe periudha të ndryshme, për të siguruar përdorim të sigurt në çdo kohë.
“Është e rëndësishme të theksohet se anëtarët nuk mund të kryejnë veprime apo transaksione online. Platforma shërben vetëm si pasqyrë informuese”, sqaron eksperti i IT-së.
Edukimi digjital, një proces i vazhdueshëm
Elton Laci pohon se një tjetër element i rëndësishëm për të garantuar standarde të larta sigurie është edukimi, jo vetëm i klientëve, por edhe i stafit. Drejtoria e IT-së pranë Credins Invest duket se zhvillon trajnime periodike për mënyrën e përdorimit të sistemit online, ruajtjen e të dhënave dhe ndërgjegjësimin mbi rreziqet digjitale.
Për të dëgjuar diskutimin e plotë dhe për të mësuar më shumë mbi mënyrën se si teknologjia mbron pensionin tuaj privat, ju ftojmë të ndiqni episodin e gjashtë të podcast-it të Credins Invest, “Të dish apo të kesh? Më mirë të dyja!”, duke klikuar linkun më poshtë.