Blog

 

Njoftim

Njoftim

Të nderuar Anëtarë të Fondit të Pensionit me pjesëmarrje të hapur “Credins Pension”,

Me shumë kënaqësi ju njoftojmë se Shoqëria Credins Invest sh.a.-Shoqëri Administruese e Fondeve të Pensionit Privat dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive, ka përfunduar me sukses procesin e vlerësimit të përshtatshmërisë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore në fuqi për veprimtarinë e fondeve të pensionit privat, sikurse jeni njoftuar edhe më parë.

Me Vendimin nr. 82, date 21.05.2025, Bordi i Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar përshtatshmërinë e Shoqërisë administruese dhe përshtatshmërinë e Fondit të Pensionit me pjesëmarrje të hapur “Credins Pension” duke vlerësuar përmbushjen e kritereve të nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 76/2023 “Për fondet e pensionit privat” i cili ka hyrë në fuqi më datë 06.11.2023, dhe akteve nënligjore në zbatim te tij të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare gjatë vitit 2024.

Si pjesë thelbësore e procesit të vlerësimit të përshtatshmërisë janë përfshirë edhe rishikimi i Prospektit të Fondit dhe i kontratave tip të anëtarësimit në Fondin e Pensionit me pjesëmarrje të hapur “Credins Pension”. Përmbajtja e këtyre dokumentave vë theksin në transparencën dhe informimin e anëtarëve, regjimin tatimor/ lehtësitë fiskale të fondit të pensionit dhe pagesat e pensionit.

Ligji 76/2023 parashikon investime në instrumente financiare të cilat ligji i vjetër nuk i parashikonte, sic është “Tituj borxhi të emetuara nga bankat dhe institucionet financiare jo-banka jo të tregtuara në tregje të rregulluara” me kufizimin jo më tepër se 5% të vlerës së aktiveve të fondit. Për rrjedhojë, shoqëria ka shtuar këtë instrument të ri investimi, me synimin e diversifikimit të portofolit dhe mbajtjes së likuiditetit të përshtatshëm, në kontekstin e arritjes së një fitimi afatgjatë për sigurimin e aktiveve dhe të ardhurave në moshën e pensionit.

Gjithashtu është rishikuar struktura e komisioneve dhe tarifave. Komisioni i administrimit eshtë ulur nga 2% në 1.8% në vit duke filluar nga data 16 korrik 2025. Përveç komisionit të administrimit, fondi do të mbulojë edhe kosto të tjera të përcaktuara në prospekt. Komisioni vjetor i administrimit dhe kostot e tjera si më sipër listuar në një vit kontabël, pra kostot totale që paguhen nga asetet e Fondit, në asnjë rast nuk do të tejkalojnë maksimumin prej 2 % të vlerës neto të aktiveve të fondit. Në rast tejkalimi të këtij limiti, diferencën e kostove do ta mbajë Shoqëria Administruese e Fondit.

Ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm për Shoqërinë dhe Fondin e Pensionit, duke garantuar për Anëtarët se administrimi i aseteve do të kryhet në mënyrë profesionale, të sigurt dhe në përputhje me standardet më të larta të transparencës dhe përgjegjësisë.

Shoqëria administruese “Credins Invest” mbetet e angazhuar të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme dhe të besueshme për kursimet pensionale të qytetarëve, duke kontribuar kështu në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të pensioneve private në Shqipëri.

 

Për më shumë informacion, ju lutemi të na kontaktoni në: e-mail – contact@credinsinvest.net

Telefon: +355 69 60 60 058

Adresë: Rr. “Nikolla Tupe”, Nr.1, Kati 3, Tiranë