Fondi i Pensionit me pjesëmarrje të hapur “Master Pension Fund” i jep mundësi çdo individi ose punëdhënësi, i cili ka për objektiv rritjen e përgjegjësisë sociale duke kontribuar për pensionet e punonjësve të tij, të investojnë në një fond afatgjatë në monedhën LEK me një profil rreziku të ulët. Fondi i adresohet anëtarëve që kanë prioritet sigurinë, kthime afatgjata dhe likuiditetin në moshën e pensionit.
Fondi ofron transparencë të lartë. Çdo anëtar i Fondit pajiset me kredencialet (emër përdoruesi dhe fjalëkalim) për të aksesuar online kudo dhe në çdo kohë llogarinë e tij ndividuale për aktivet përfshirë vlerësimin e vlerës neto të aktiveve, totalin e ndryshimit të aktiveve për periudhën 12 -mujore, normën e kthimit nga investimi për fondin për periudhën 12-mujore, kthimin nga investimi, që nga fillimi i pjesëmarrjes në fond, datat e kontributeve dhe transferimet e aktiveve të bëra nga ose në emër të anëtarit gjatë periudhës përkatëse në Fond.
Cdo kontribut i bërë nga çdo anëtar i fondit të pensionit është i zbritshëm nga paga bruto për efekt llogaritje tatimi deri në nivelin e pagës minimale.
Gjithashtu, investimet në fond janë të përjashtuara nga taksa mbi interesin dhe të ardhurat nga kapitali.
Fondi i Pensionit “Master Pension” investon në obligacione afatgjatë të garantuara nga shteti shqiptar, në obligacione afatgjatë të emetuara nga qeveritë e shteteve anëtare të BEsë dhe OECD-së, në obligacione të institucioneve financiare ndërkombëtare (supranational) si Banka Botërore, Banka Qëndrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve, duke patur një profil të ulët rreziku. Normat e interesit janë në varësi të ecurisë së tregut dhe mund të luhaten, duke ndikuar dhe në luhatjen e vlerës së investimit.
Tërheqja e aseteve të akumuluara në llogarinë e anëtarit mund të bëhet kur anëtari plotëson kushtet e parashikuara në ligj. Tërheqja mund të kryhet totale ose në mënyrë periodike në formë pensioni. Në çdo rast tjetër kemi të bëjmë me tërheqje të parakohshme.
Nëse anëtari ndërron jetë përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta, asetet në llogarinë e tij do t’i shpërndahen trashëgimtarëve në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë trashëgiminë.
