Fondi i pensionit me pjesëmarrje të hapur “Master Pension Fund” është një grup i veçuar aktivesh, pa personalitet juridik, i krijuar me qëllim mbledhjen e kontributeve në para në llogaritë personale të anëtarëve të fondit dhe investimit të këtyre fondeve për rritjen e vlerës së aktiveve të fondit të pensionit. Fondi i pensionit me pjesëmarrje të hapur zotërohet bashkërisht nga anëtarët e tij, ku pronësia individuale përfaqësohet nga numri i kuotave në fondin e pensionit. Anëtar i këtij fondi mund të jetë çdo individ, përfshirë punëmarrësit e punëdhënësit, i cili zgjedh të kontribuojë në fondin e krijuar nga shoqëria administruese, pa krijuar një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur.
Misioni I shoqërisë është të administrojë me përgjegjësi dhe profesionalizëm fondet e pensionit, duke synuar ruajtjen dhe përmirësimin e standardit të jetesës gjatë periudhës së pensionit. Përmes menaxhimit të kujdesshëm të investimeve dhe sigurimit të qendrueshmërise financiare afatgjatë, shoqëria synon të ofrojë siguri dhe stabilitet ekonomik për çdo anëtar të fondeve të pensionit.
Pagesat në formë kontributi të bëra në llogarinë personale të anëtarit si dhe aktivet e transferuara në fond, do të shndërrohen në kuota pensioni në ditën e mbërritjes së pagesës në llogarinë e fondit me çmimin e kuotës të ditës së mbërritjes së pagesës. Shoqëria administruese është përgjegjëse për shndërrimin e kontributeve në kuota pensioni. Për qëllime vlerësimi, çdo kuotë pensioni përfaqëson një pjesë përpjesëtimore pronësie në aktivet e fondit të pensionit. Vlera totale e kuotave në fondin e pensionit është gjithmonë e barabartë me vlerën totale neto të aktiveve të fondit të pensionit.
