Blog

TARIFA E ADMINISTRIMIT

Komisioni vjetor i administrimit të shoqërisë është tarifa periodike që i paguhet shoqërisë administruese të fondit të pensionit privat, e përllogaritur në bazë të një përqindjeje vjetore sipas vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit. Komisioni vjetor i Administrimit do të mbahet nga Vlera Neto e Aktiveve të Fondit dhe do të jetë deri në masën 1.2% në vit. Komisioni i Administrimit do të llogaritet çdo ditë dhe do të mbahet në ditën e fundit të çdo muaji, si shumë e të gjitha vlerave ditore të muajit përkatës dhe paguhet në 10 ditorin e parë të muajit pasardhës.

 

Komisioni i administrimit do të llogaritet sipas formulës:

Komisioni vjetor i administrimit (në %) = 1.2% x vlera neto e aktiveve të fondit të asaj dite / Ditë kalendarike të vitit financiar.

Komisioni i administrimit i zbritet të ardhurës bruto të realizuar nga aktivet e Fondit. Në këtë mënyrë anëtarëve ju përket e ardhura neto.

 

Komisione te tjera

  • Tarifa që i paguhet bankës depozitare dhe tarifa që i paguhet bankës nëndepozitare, e cila përllogaritet në bazë ditore mbi vlerën neto të aktiveve të dakordësuara ndërmjet shoqërisë administruese dhe depozitarit
  • Komisionet bankare në lidhje me llogarinë e fondit të pensionit, do të llogariten dhe paguhen sipas kushteve të punës së bankës depozitare ose sipas kushteve të dakordësuara në kontratë;
  • Kostot e auditimit vjetor të fondit. Komisioni i auditorit të jashtëm i shprehur në vlerë fikse e përcaktuar në kontratën me shkrim të lidhur me shoqërinë administruese
  • Tarifat që i paguhen Autoritetit për Fondin do të llogariten dhe paguhen sipas parashikimeve të rregullores nr. 155, datë 23.12.2014 “Për përcaktimin e elementëve të përllogaritjes dhe nivelet e tarifave që u ngarkohen subjekteve të mbikëqyrura, si dhe proçedurat e arkëtimit dhe rakordimit të tyre”, e ndryshuar;
  • Kostot dhe komisione për shitblerje të aktiveve të Fondit, në të cilat përfshihen edhe komisionet për transaksionet e kryera me brokerat one off (kosto fikse) ose përqindje mbi transaksion;
  • Komisionet e transaksioneve në instrumente financiare, të përcaktuara në kontratën me shkrim ndërmjet shoqërisë administruese dhe ofruesit të shërbimit
  • Komisione transaksionesh në platformat shumëpalëshe të tregtimit (në Shqipëri ose jashtë)
  • Shpenzimet zbriten nga të ardhurat apo kapitali i Fondit në bazë ditore dhe diferenca e cila ndryshon çmimin e kuotës, shpërndahet në mënyrë proporcionale me numrin e kuotave në fond deri në momentin e përllogaritjes.
  • Shoqëria do të zgjedhë alternativën më të mirë për kryerjen e investimeve, me qëllim mbrojtjen e interesave të anëtarëve.
  • Komisioni vjetor i administrimit dhe kostot e tjera si më sipër listuar në një vit kontabël, pra kostot totale që paguhen nga aktivet e Fondit nuk do të tejkalojnë maksimumin prej 1.5% të vlerës neto të aktiveve të fondit.
  • Shoqëria mund të ndryshojë tarifat e Fondit në përputhje me ligjin dhe rregulloreve të dala në zbatim të tij.

 

Çdo ndryshim në rritje, të komisioneve, si dhe përfshirja e ndonjë komisioni të ri, të papërfshira më parë në prospekt, brënda kufijve të përcaktuar në ligj konsiderohet si ndryshim i rëndësishëm dhe do të reflektohet në prospektin e Fondit, pas miratimit nga AMF.

 

Njoftimi për çdo rritje të komisioneve të zbatuara nga Shoqëria Administruese u njoftohet anëtarëve të Fondit, të paktën 6 muaj përpara hyrjes së tyre në fuqi nëpërmjet adresës elektronike ose me postë normale dhe do të publikohet në faqen zyrtare të shoqërisë.

 

Brenda 30 ditëve pune nga dita e njoftimit të anëtarëve dhe publikimit të njoftimit, për rritje komisionesh sipas paragrafit më sipër, të këtij seksioni, çdo anëtar i fondit mund të kërkojë ndryshimin e fondit të pensionit, pa paguar komision transferimi