Blog

Të kuptojmë Investimet: Kohëzgjatja (Duration)

Të kuptojmë Investimet: Kohëzgjatja (Duration)

Investitorët në përgjithësi kanë njohuri se ndryshimi i normave të interesit ndikon në vlerën e obligacioneve. Si dhe sa ndikohet vlera e një obligacioni apo një portofoli obligacionesh nga rënia apo rritja e normave të interesit, mund të matet me treguesin e Kohëzgjatjes, ose ndryshe të quajtur Duration.

Çfarë është Kohëzgjatja (Duration) e Obligacionit?

Kohëzgjatja apo Duration është një matje e riskut të normës së interesit që merr në konsideratë maturitetin, kuponin, yieldin (rendimentin) dhe opsionet e tjera shoqëruese të obligacionit. Të gjithë këto faktorë sintetizohen në një numër të vetëm që tregon ndjeshmërinë e vlerës së obligacionit ndaj ndryshimeve të normës së interesit në treg.

Si e përdorin investitorët Kohëzgjatjen (Duration)?

Kur normat e interesit rriten, vlera e obligacioneve ulet dhe anasjelltas. Përgjithësisht, sa më e lartë kohëzgjatja e një obligacioni, aq më shumë ulet vlera e obligacionit kur normat e interesit në treg rriten.

Nëse një investitor pret që normat e interesit të bien gjatë periudhës që do të mbajë obligacionin, një obligacion me një kohëzgjatje më të gjatë do të ishte më tërheqës për të, sepse vlera e obligacionit do të rritej më shumë sesa obligacionet e krahasueshme me kohëzgjatje më të shkurtër, kur ulja e normave të realizohej.

Siç tregon tabela më poshtë, sa më e shkurtër të jetë kohëzgjatja e një obligacioni, aq më pak e paqëndrueshme ka të ngjarë të jetë vlera e obligacionit. Për shembull, një obligacion me një kohëzgjatje 1- vjeçare do të humbiste vetëm 1% në vlerë nëse normat do të rriteshin me 1%. Ndërsa, një obligacion me një kohëzgjatje 10 vjeçare do të humbiste 10% nëse normat do të rriteshin me të njëjtin përqindje 1%. Në të kundërt, nëse normat do të uleshin me 1%, obligacionet me një kohëzgjatje më të gjatë do të fitonin më shumë, ndërsa ato me një kohëzgjatje më të shkurtër do të fitonin më pak.

Kufizimet e Kohëzgjatjes (Duration)

Edhe pse Kohëzgjatja (Duration) është një mjet analitik shumë i dobishëm, nuk përbën tregues të plotë të riskut të obligacioneve. Për shembull, kohëzgjatja nuk tregon asgjë në lidhje me riskun e kredisë së një obligacioni. Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për letrat me vlerë me rating të ulët (siç janë obligacionet “high yield”), vlera e të cilave është njësoj apo më shumë e ndjeshme ndaj perceptimit të stabilitetit financiar të emetuesit, sesa ndaj ndryshimeve në normat e interesit në treg.

Një tjetër kufizim i përdorimit të kohëzgjatjes gjatë vlerësimit të një portofoli obligacionesh, është se kohëzgjatja mesatare e portofolit, mund të ndryshojë pasi obligacionet brenda portofolit maturohen dhe normat e interesit ndryshojnë.

Nga ana tjetër, nëse manaxheri i portofolit pret që normat e interesit të rriten, ai mund të shkurtojë kohëzgjatjen mesatare të portofolit, për të minimizuar efektin negativ në vlerën e portofolit të obligacioneve.

Koncepti i Kohëzgjatjes (Duration) në Fondin e Investimit “Credins Premium”

Fondi i Investimit Credins Premium investon kryesisht në bono dhe obligacione të emetuara dhe garantuara nga Qeveria Shqiptare.

Duration mesatar i Fondit të Investimit “Credins Premium” në fund të muajit korrik është 3.53 vite.

Siç e shpjeguam dhe më lart, normat e interesit në treg kanë një ndikim të konsiderueshëm në vlerën e obligacioneve dhe rrjedhimisht në vlerën e portofolit të obligacioneve.

Për këtë arsye, në Credins Invest, shoqëri administruese e Fondit të Investimit Credins Premium, analizohen të gjithë faktorët ekonomik dhe politik që ndikojnë në normat e interesit, për të krijuar pritshmëri sa më të saktë për ecurinë e normave të interesit. Në bazë të këtyre pritshmërive, njësia e manaxhimit të portofolit ndërton strategjitë taktike të investimit në funksion të arritjes së objektivit të fondit, maksimizimin e të ardhurave duke ruajtur principalin dhe likuiditetin.

Si e përdorin Manaxherët e Portofolit Kohëgjatjen (Duration)?

Edhe pse Kohëzgjatja (Duration) si tregues ka disa kufizime, mund të jetë një mjet jashtëzakonisht i dobishëm për ndërtimin e portofolit të obligacioneve dhe manaxhimin e rrezikut.

Kur pritshmëritë për normat e interesit të Manaxherit të Portofolit ndryshojnë, ai mund të axhustojë kohëzgjatjen mesatare të portofolit (duke kryer transaksione shitje/blerje të obligacioneve në portofol), që të përkojnë me parashikimin e tij.

Këto axhustime mund të bëhen për portofolin në tërësi, ose për një sektor të veçantë brenda portofolit. Pra, nëse manaxheri i portofolit pret që normat e interesit të bien, kohëzgjatja mesatare e portofolit mund të zgjatet për të përfituar maksimumin nga ndryshimi i normave.