27 Jan Përjashtimi i kontributeve nga tatimi dhe më shumë lehtësi fiskale
Përjashtimi i kontributeve nga tatimi dhe më shumë lehtësi fiskale, si për individin ashtu edhe për punëdhënësin.
Një ligj i ri për fondet e pensioneve private është domosdoshmëri për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregut në dekadën e fundit. Znj. Estela Koçi, Drejtore e Përgjithshme e Shoqërisë Administruese të Fondeve Credins Invest, thotë se “ Projektligji i propozuar nga AMF ka një frymë më gjithëpërfshirëse dhe në tërësi sjell zhvillime pozitive në rregullimin e këtij tregu. Megjithatë ky projektligj duhet të garantojë përputhshmëri me ligjet e tjera në fuqi dhe në veçanti me atë për profesionet e vështira, duke përfshirë edhe fondet e pensioneve të detyrueshmë që ky ligj parashikon”.
Për më tepër mund të lexoni intervistën e mëposhtme, publikuar në revistën Monitor.
- Cilat qëndrimet tuaja kryesore rreth projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, të hedhur për konsultim publik nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare?
Projektligji i ri për fondet e pensioneve është i shumëpritur nga tregu i shoqërive administruese të fondeve duke konsideruar që ligji aktual është i miratuar në dhjetor të vitit 2009 dhe nuk ka pasur ndryshime të mëvonshme, pavarësisht se kushtet e tregut kanë ndryshuar në vite.
Fryma e projektligjit në përgjithësi është shumë më gjithëpërfshirëse në krahasim me ligjin aktual, duke sjellë në dispozita të veçanta të tij, një përafrim me direktivën IORP.
Ndryshimet më kryesore pozitive që projektligji sjell janë:
- Mundësia që shoqëritë administruese mund të administrojnë fonde me pjesëmarrje të hapur dhe fonde me pjesëmarrje të mbyllur me kontribute të përcaktura nëpërmjet një sponsori i cili mund të jetë një punëdhënës ose një grupim punëdhënësish që krijojnë një fond të mbyllur pensioni me një numër minimal anëtarësh.
- Rritja e transparencës në informimin e anëtarëve. Janë përcaktuar mënyrat, mjetet, afatet dhe përmbajtja e materialeve informuese për të gjithë shoqëritë administruese.
- Rritja e lehtësive fiskale të individit dhe punëdhënësit.
- Aplikimi i tatimit vetëm për kthimin nga investimi për anëtarët që u lind e drejta e përfitimit.
- Zgjerimi i gamës së investimeve të lejuara për asetet e Fondit.
- Përqindja maksimale e ngarkuar anëtarit për administrimin e fondit është ulur në 3% në 2.5%, etj.
Krahas risive pozitive, elementë që kërkojnë përmirësim nisur nga propozimet e tregut me një eksperiencë të konsiderueshme në fushën e pensioneve, janë:
- Përfshirja në këtë projektligj e fondeve te pensionit (te detyrueshme), rregullimi i të cilave bëhet edhe me ligje të tjera (ligji për profesionet e vështira),
- Lehtësimi i masave administrative të parashikuara në projektligj;
- Projektligji duhet të sigurojë përputhshmëri me dispozitat e ligjeve të tjera në fuqi.
- Pavarësisht disa përafrimeve pozitive me Direktivën BE 2016/2341, mendojmë që fryma në tërësi e projektligjit duhet të jetë më afër direktivës.
- Projektligji parashikon rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi për kontributet, në vlerën e pagës minimale ligjore, si edhe shtrirjen e tatimit në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi. Mendoni se këto incentiva janë të kënaqshme dhe të mjaftueshme për t’i bërë më atraktive fondet private të pensioneve?
Nisur nga eksperienca 10-vjecare e tregut të fondeve të pensioneve vullnetare, kërkesa për krijimin dhe rritjen e lehtësive fiskale për individët dhe punëdhënësit që krijojnë skema profesionale, ka qënë e vazhdueshme nga shoqëritë administruese të fondeve. Incentiva fiskale për përjashtimin e kontributeve nga tatimi ka filluar të zbatohet vetëm në vitin 2015, dhe ky ka qenë deri më sot një zbatim i pjesshëm për anëtarët individë, që shpesh ka rezultuar në tatim të dyfishtë të individit. Ndër vite, shoqëritë administruese kanë kërkuar që të adresohet çështja e tatimit të përfitimeve, duke dhënë edhe alternativa të ndryshme, të cilat synonin incentivimin e skemave.
Siç edhe ju e përmendni, projektligji ka sjellë një ndryshim mjaft pozitiv dhe thelbësor në lehtësitë fiskale, qoftë për individin ashtu edhe për punëdhënësin.
Më konkretisht, projektligji i ri parashikon që kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në fondin e pensionit vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me pagën minimale vjetore të miratuar në shkallë vendi dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i njohur, për qëllime të tatimit mbi fitimin. Përsa i takon individit, projektligji parashikon kufiri maksimal mujor për lehtësitë tatimore është deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi.
Në vijim paraqiten në formë tabelare ndryshimet e lehtësive fiskale:
Përcaktimi në projektligj i pagës minimale e cila rishikohet periodikisht, si kufi maksimal i zbritshëm për efekt tatimi, përbën një avantazh të kenaqshëm për individin dhe punëdhënësin mbështetur në kushtet aktuale të tregut.
Krahas tyre, një ndryshim tejet pozitiv dhe i kërkuar është heqja e aplikimit të tatimit mbi të ardhurat mbi totalin e përfitimit nga anëtari në momentin e përfitimit të pensionit. Projektligji ka parashikuar që “përfitimet e marra nga anëtari i fondit të pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi me normën në fuqi për tatimin mbi të ardhurat personale”.
Përveç anës financiare, vlerësojmë që ndryshimet e propozuara krijojnë lehtësi edhe në paraqitjen e dokumentacionit të kërkuar për anëtarët aktuale dhe të rinj, në përfitimin e pensionit.
- Besoni se ndryshimet e parashikuara në politikat e investimit krijojnë hapësira për të përmirësuar kthimet e fondeve të pensionit? Cilat janë risitë më domethënëse, në këndvështrimin tuaj dhe a mund të sugjeroni ndryshime të tjera, veç atyre që propozon AMF?
Projektligji ka zgjeruar gamën e investimeve të lejuara në të cilat mund të investohen asetet e Fondit të pensioneve me qëllim diversifikimin e portofolit për të siguruar një normë kthimi të përshtatshme për anëtarët. Nisur nga investimet e lejuara, mund të krijohen portofole me karakteristika të ndryshme risku dhe kthimi, për fondet me pjesëmarrje të hapur dhe ato me pjesëmarrje të mbyllur.
Në ndryshim nga ligji dhe rregullorja aktuale e investimeve të lejuara, projektligji parashikon investimin në aksione dhe kuota të sipërmarrjeve të investimeve kolektive të cilat janë të licencuara dhe mbikëqyren nga autoritetet përkatëse, duke përfshirë edhe sipërmarrjet e investimeve kolektive të licensuara në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu është lejuar edhe investimi ne tituj borxhi të emetuara nga bankat që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar.
Përveç pikave të parashtruara për përmirësim më sipër, vëmë në dukje se direktiva e BE 2016/2341 konsideron edhe investimet në pasuri të paluajtshme si një aset afatgjatë, i cili i përshtatet edhe natyrës afatgjatë të fondit të pensioneve. Për këtë arsye, në komentet e dërguara mbi projektligjin, Shoqëria ka propozuar përfshirjen e këtij aseti në investimet e lejuara, të parashikuara në projektligj dhe presim që këto propozime të merren në konsideratë nga organet përkatëse.