
18 Tet Pensionet Private dhe Avantazhet e Tyre
CEO i Credins Invest, Estela Koçi, e ftuar në “Sheshi i Dollarit” në ABC News Albania, theksoi rëndësinë e anëtarësimit në skemat private të pensioneve. Në një botë ku siguria financiare është thelbësore, qytetarët duhet të inkurajohen të angazhohen në këtë proces. Përfitimet fiskale që ka pensioni privat e shndërrojnë atë në një instrument financiar fitimprurëse, të leverdisshëm dhe të përshtatshëm për individët, në përputhje me objektivat e tyre personale.
Individët duhet të bëhen aktivë dhe të kuptojnë se ndryshimet ligjore të realizuara për të mbështetur pensionet private ofrojnë mundësi të reja për ta. Megjithatë, ende ka shumë për të bërë. Rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e pensioneve private, veçanërisht mes të rinjve, është e domosdoshme për të garantuar një të ardhme financiare të qëndrueshme.
Një nga pyetjet më të zakonshme është sa të sigurta dhe transparente janë fondet private. Skemat e pensioneve private janë të rregulluara nga ligjet përkatëse, të cilat ofrojnë një nivel të lartë mbrojtjeje për anëtarët. Politika konservatore e investimeve, situatat e kontrolluara, mbikëqyrja strikte dhe transparenca janë disa nga karakteristikat që ndihmojnë në sigurimin e këtyre fondeve. Fondet e pensioneve mbahen në llogari të veçanta, të ndara nga shoqëritë administruese, çka rrit sigurinë e investimeve.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është dallimi midis fondeve me pjesëmarrje të hapura dhe atyre të mbyllura. Fondet me pjesëmarrje të hapura janë të aksesueshme për publikun e gjerë, ndërsa fondet e mbyllura janë të kufizuara për një punëdhënës të vetëm ose për një grup punëdhënësish të lidhur me një industri të caktuar. Ndryshimet në tarifat e administrimit dhe politikat e investimit janë të dukshme midis këtyre dy tipeve, duke ofruar mundësi të ndryshme për individët.
Duke e parë perspektivën e pensioneve shtetërore, është e qartë se kjo skemë është e limituar. Kolona e dytë e pensioneve, e përfaqësuar nga skemat private, është tashmë një domosdoshmëri për të siguruar një pension dinjitoz. Është e rëndësishme të mos kufizohemi në një sistem, por të sigurojmë një pension të qëndrueshëm dhe të garantuar për të ardhmen, pasi rëndësia e një sistemi të alternuar është thelbësore për të përmbushur nevojat e ndryshme financiare të individëve dhe për të kontribuar në një të ardhme më të mirë.
Emisionin e plotë e gjeni në linkun më poshtë https://www.youtube.com/watch?v=ZtcW_WM0sDw