26 Pri Njoftim për përditësimin e Prospektit “Credins Premium”
Në përmbushje të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga ligji Nr. 56/2020 “Për sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, shoqëria Credins Invest sh.a., ju njofton se ka kryer përditësimin e Prospektit të Fondit të Investimit “Credins Premium”.
Në Prospekt janë kryer përditësimet si më poshtë:
- Të dhënat e fondeve për vitin 2022 në Seksionin “Fondet nën administrimin e shoqërisë Credins Invest sh.a.”;
- Në seksionin “Të dhënat e përgjithshmë të fondit/ Fondi i Investimit “Credins Premium” janë përditësuar të dhënat për vitin 2022 në paragrafin 3 dhe në tabelën që tregon të dhënat historike të fondit;
- Paragrafi 3 është riformuluar me përmbajtjen:
“Grafiku i mëposhtëm paraqet kthimet neto historike të Fondit “Credins Premium” gjatë viteve të plota të aktivitetit. Norma neto vjetore përfaqëson normën e kthimit të portofolit pasi janë zbritur kostot dhe tarifat që i mbahen fondit. Fondi ka filluar aktivitetin më 1 Korrik 2016. Më 31.12.2022, kohëzgjatja mesatare e modifikuar e portofolit të investimit (Modified Duration) është 0.06 vite.”
- Në seksionin “Objektivi i investimit të fondit” është hequr fjalia e fundit me përmbajtje:
“Fondi do të përbëhet vetëm nga tituj borxhi me të ardhura fikse.
- Në seksionin “Shlyerja e kuotave”, pas paragrafit të dytë janë shtuar paragrafët me përmbajtje:
“Në rrethana të veçanta, shlyerja e kuotave mund të bëhet në tituj që Fondi zotëron, kur është e mundur të përcaktohet çmimi i saktë dhe investitori bie dakord me propozimin. Shlyerja e kuotave do të bëhet në natyrë, pra në tituj, për shlyerjet me vlerë të madhe dhe do të kryhet në në rrethana të veçanta që gjykohen të tilla nga Shoqëria.
Përsa i takon procesit të përcaktimit të vlerës minimale të aktiveve neto për anëtar, e cila do konsiderohet për tu shlyer në tituj, kjo do të vlerësohet rast pas rasti në varësi të vlerës neto të anëtarit, duke konsideruar numrin e investitorëve që kanë balancat në fashat më të larta të investimit në Fond.
Shlyerja e investitorëve nëpërmjet titujve, kryhet për titujt të cilat Fondi ka si objektiv për t’i disinvestuar. Propozimi për investitorin për titujt konkretë, do të jetë në përputhje me objektivat dhe politikat e Fondit, të Fondit Investimit Credins Premium, në interesin më të mirë të investitorëve që mbeten në Fond dhe përmbush objektivat e investimit të investitorit që tërhiqet.
Investitorët duhet të bien dakord me kushtet dhe te nënshkruajnë një kontratë kujdestarie titujsh me një bankë të nivelit të dytë, me qëllim transferimin e titullit nga Fondi në llogarinë e titujve të investitorit. Investitori shlyhet kryesisht me titull dhe një pjesë e shlyerjes bëhet në para, duke zbritur detyrimin tatimor.
Nëse investitori ka për qëllim shlyerjen për të gjithë vlerën, duhet të kryhet tërheqja me të gjitha kuotat, pa lënë kuota në numër më të vogël se 1 (një). Në rast se do të ketë balanca në kuota më të vogël se 1 (një), Shoqëria në një periudhë jo me pak se një herë në vit, do të kërkojë mbylljen e llogarisë dhe kalimin e këtyre vlerave në të ardhura të tjera për Fondin.”
- Në seksionin “Shlyerja e kuotave”, është hequr fjalia e fundit me përmbajtje:
“Çdo pagesë për fondin e investimit bëhet në asete monetare dhe, vetëm në rrethana të veçanta, të parashikuara nga një rregullore e AMF-së, në tituj apo asete të tjera, kur është i mundur të përcaktohet çmimi i tyre i saktë.
Shlyerja e kuotave, duke përdorur asete të fondit, ose shlyerja me anë të transferimit të një përqindjeje përkatëse të çdo lloji asetesh të fondit me një vlerë, e cila barazon vlerën e kuotave për t’u shlyer në këtë mënyrë, lejohet në rastet kur shitja e aseteve të fondit, e nevojshme për të plotësuar kërkesat për shlyerjen në vlera të mëdha, mund të komprometojë pozicionin e investitorëve të përhershëm në fond, me kusht që prospekti i tij të përshkruajnë mënyrën e shlyerjes së kuotave në këtë formë. Shlyerja me asete mund të bëhet vetëm duke transferuar atë pjesë të çdo lloji asetesh të fondit, e cila është në përpjesëtim me numrin e kuotave të investitorëve, që kërkojnë shlyerjen dhe vlerën totale të aseteve të fondit.”
Në seksionin “Audituesi” janë përditësuar të dhënat mbi Audituesit e Jashtëm.
Prospektin e plotë mund ta shfletoni elektronikisht në faqen tonë zyrtare: www.credinsinvest.com.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,
Credins Invest
Prill 2023