30 Kor Miratohet Prospekti i Fondit të Investimit “Credins Premium”
Të nderuar Investitorë,
Në përmbushje të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga ligji “Për sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, shoqëria Credins Invest, ju njofton se ka kryer përditësimin e Prospektit të Fondit te Investimit “Credins Premium”, miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me vendim nr. 91, më 29.06.2020.
Ju bëjmë me dije që, në Prospekt janë shtuar disa përkufizime lidhur me terminologjinë e përdorur dhe është pasqyruar performanca historike e fondit. Në përbërjen e organeve drejtuese ka ndryshim të njërit prej anëtarëve, dhe është shtuar deklarimi lidhur me konfliktin e interesit tek seksioni “Informacion për investitorët”. Tek Konsideratat e Rrezikut janë detajuar disa nga rreziqet qe mbart fondi, dhe në seksionin e Trajtimit Fiskal është përcaktuar tatimi sipas legjislacionit tatimor në fuqi.
Në prospekt janë përditësuar të dhënat e audituesit të jashtëm, dhe është plotësuar me informacion seksioni “Transferimi i llogarisë individuale”. Në pikën ç të seksionit “Komisionet dhe shpenzimet” janë përfshirë komisionet për transaksionet e kryera me brokerat, dhe është shtuar fjalia e parë në paragrafin e fundit të seksionit.
Gjithashtu, me kënaqësi ju bëjmë me dije se është miratuar: Ligji i ri për “Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” si dhe Ligji për “Tregjet e Kapitalit”, të cilat do të krijojnë mundësi të reja investimi dhe do t’i hapin rrugën zhvillimeve të reja në Bursën e Titujve. Me politikën aktuale, asetet e fondit Credins Premium mund të investohen deri në masën maksimale prej 10% të total aseteve, edhe në obligacione të korporatave apo të njësive të qeverisjes vendore (bashkive). Këtë mundësi nuk e kemi eksploruar deri më sot për arsye të mungesës së tregtimit të këtyre titujve në një treg të rregulluar siç është Bursa e Titujve. Me zhvillimet e reja të cilat priten të ndodhin së shpejti, Fondi Credins Premium mund të investojë edhe në tituj korporativë brenda limitit 10%, sipas politikës së investimit në Prospekt.
Prospektin e plotë mund ta shfletoni elektronikisht në faqen tonë zyrtare: www.credinsinvest.com
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,
Credins Invest
Datë: 30/07/2020