18 Pri “Momenti më i vështirë ka kaluar, presim që 2023 të jetë më i mirë për fondet e investimit”
Estela Koçi, Administratore e Përgjithshme e Credins Invest, thotë për “Monitor” se publiku nuk ishte i përgatitur për një periudhë me humbje, duke bërë që sjellja e përgjithshme të ishte mospranim dhe reagim nëpërmjet tërheqjes nga fondet. Viti i kaluar rezultoi veçanërisht i vështirë për fondet e investimit.
Ajo mendon se tregu i fondeve të investimit e ka kaluar momentin më të vështirë dhe pritet që viti 2023 të sjellë përmirësim gradual të rezultateve.
Znj. Koçi shprehet se për të ardhmen është e nevojshme të zhvillohet më tej tregu dytësor i titujve qeveritarë, me hapjen e tregut referencë dhe detyrimin e bankave “market maker”, që me çmimet e kuotuara, të detyrohen të shesin dhe blejnë me cilindo institucion financiar që dëshiron të kryejë një transaksion, do të ishte një hap i parë.
Rregullimi i strukturës së kuotimeve ditore të bankave referencë, mundësisht brenda Bursës, do të siguronte të paktën çmime reale bazuar në transaksione konkrete për një pjesë të mirë të titujve.
Rritja e interesave krijoi një mjedis sfidues për tregun e fondeve të investimit në vitin 2022. Çfarë efektesh dhe pasojash dha rritja normave të interesit për fondet tuaja të investimeve?
Viti 2022 rezultoi sfidues për mbarë botën në shumë dimensione, me ngjarje si lufta, mungesa të theksuara të lëndës së parë, inflacion në nivelet më të larta në 40 vjet, interesa të rritura me shpejtësi dhe masë të paprecedentë, e me mbetjet e një pandemie ende të pranishme.
Kur flitet për ecuri të tregut të fondeve të investimit gjatë vitit 2022 mund të thuhet vetëm që një forcë e qartë dhe dominuese i ndikoi tregjet në mbarë botën, inflacioni.
Ky tregues u rrit në mënyrë të paprecedentë edhe në Shqipëri dhe si përgjigje rregulluese, Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit pesë herë brenda vitit.
Edhe ky ishte një numër rritjesh i paprecedentë, që u reflektua menjëherë në rritjen e normave të interesit të instrumenteve financiare, si titujt qeveritarë.
Rritja e normave të interesit u ndikua ndjeshëm edhe nga hezitimi dhe pasiguria e lartë për vazhdimësinë e aktorëve të tregut financiar në vend, duke sjellë nivele tepër të ulëta të mbulimit në ankandet e zhvilluara. Si rezultat, transmetimi i rritjes së normës bazë në tregun e titujve shtetërorë ishte shumë i shpejtë dhe i amplifikuar pothuajse në gjithë vitin 2022.
Rritja e interesave të titujve qeveritarë u përkthye në rënie të vlerës së portofolave të fondeve të investimit, të cilat ishin të investuara në këto instrumente. Rënia ishte e vazhdueshme në të gjithë vitin 2022, me pikënisje nga rritja e parë e normës bazë të interesit në muajin mars.
Kjo bëri që fondet e investimit të gjeneronin humbje të konsiderueshme, e cila solli menjëherë pakënaqësinë e investitorëve, rriti pasigurinë e tyre dhe faktin e qartë që publiku shqiptar nuk ishte i përgatitur për këtë periudhë humbje të fondeve, duke bërë që sjellja e përgjithshme të ishte mospranim dhe reagim nëpërmjet tërheqjes nga fondet.
Kjo sjellje për tregun shqiptar ishte, deri diku, e pritshme, për vetë faktin se fondet e investimit janë instrumente relativisht të reja në tregun tonë, dhe deri në vitin 2022, ngjarjet e rënies së vlerës së fondeve të denominuara në Lek kanë qenë afatshkurtra, të përkohshme dhe pozicionet janë rregulluar brenda vitit financiar, duke gjeneruar normë kthimi vjetore pozitive.
2022-shi është i pari vit kur fondet e Lekut të investuara kryesisht në tituj qeveritarë, ku bën pjesë edhe Fondi Credins Premium, rezultuan me normë neto vjetore negative.
Një ngjarje tjetër e këtij viti, që ndikoi në ndryshimin e sjelljes së publikut, si dhe në sjelljen e përmbajtjen e tregut të titujve qeveritarë, duke e bërë më të vështirë parashikimin e ecurisë, ishte thirrja publike e Qeverisë, drejtuar individëve për investim të drejtpërdrejtë në bono dhe obligacione të thesarit, nëpërmjet sporteleve të bonove të thesarit pranë bankës qendrore.
Si e menaxhuat situatën e krijuar nga rritja e normave të interesit dhe rënia e kthimeve të fondeve? A ndërmorët ndryshime në politikat tuaja të investimit?
Ishte më se e dukshme që askush nuk ishte i përgatitur për t’u përballur me një krizë të tillë financiare, as publiku, as institucionet financiare dhe as rregullatorët, kjo vlen për të gjitha tregjet financiare botërore, si dhe për tregun e brishtë shqiptar.
Përgjigjia e menjëhershme dhe e vazhdueshme nga Credins Invest ka qenë komunikimi i drejtpërdrejtë me investitorët, këshillimi i vazhdueshëm, publikimi i materialeve edukuese dhe raportimi me transparencë të plotë i performancës së fondit dhe masave të marra për menaxhimin e situatës.
Objektivi ynë i vazhdueshëm ka qenë që investitorët të mos humbin besimin në fondet e investimit dhe miradministrimin e tyre, por të kuptojnë që ngjarje të tilla janë pjesë e cikleve ekonomike dhe se me gjithë humbjet e përkohshme që gjenerojnë fondet, këto mbeten ndër produktet e domosdoshme për një shportë të diversifikuar të investitorit.
Në kushtet e një vale të konsiderueshme tërheqjesh, sfida më e madhe ka qenë ruajtja e likuiditetit të nevojshëm me koston minimale për investitorët, si dhe ruajtja e portofolit nga goditjet e vazhdueshme të tregut.
Dhe e gjithë kjo në një mjedis të pazakontë të tregut të titujve qeveritarë, me tregues si pjesëmarrja e ulët e bankave në tregun primar në ankandet e titujve dhe raporti i ulët i mbulimit kërkesë-ofertë, rritja e lartë e vazhdueshme e normave të titujve gjatë gjithë kurbës së instrumenteve, pjesëmarrja e ulët e bankave në tregun sekondar ose kuotime me spread shumë të larta, tregu jolikuid i titujve qeveritarë referencë, si dhe volumet e ulëta të tregtimit të titujve qeveritarë e numri i kufizuar i anëtarëve në Bursën ALSE, ndryshim i qasjes së investimit në tituj qeveritarë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo përmes fondeve të investimit, etj.
Shoqëria Credins Invest monitoroi, në mënyrë aktive, situatën dhe ndërmori me kujdes të gjithë hapat e duhur për të minimizuar humbjen për investitorin dhe për të mbajtur në çdo kohë likuiditetin e nevojshëm, gjë të cilën e njoftoi dhe publikoi në mënyrë transparente për investitorët e fondit.
Të gjithë investitorët janë këshilluar në mënyrë individuale për alternativat e investimit dhe iu është shërbyer pa ndërprerje dhe duke respektuar, gjithnjë afatet ligjore, si dhe duke gjetur zgjidhjen më të mirë për secilin.
Si i parashikoni perspektivat e fondeve të investimit në vitin 2023 dhe në ç’mënyrë do të ndikojë rritja e mëtejshme, e pritshme, e normave të interesit?
Viti 2023 ka filluar ndjeshëm më qetë, me një ecuri në rënie të normave të interesit të titujve qeveritarë, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në kthimin ditor të fondeve të investimit në monedhën Lek.
Ecuria në rënie e normave të interesit është kushtëzuar nga vendimmarrja e politikës monetare e Bankës së Shqipërisë, e cila ka vendosur mosrritjen e normës bazë të interesit për tre muaj radhazi dhjetor 2022-shkurt 2023. Rritja e parë në vitin 2023 është kryer në mbledhjen e datës 23 mars, duke e rritur normën bazë me 0.25 bp.
Ndryshe vjen situata në Europë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë vijuar rritjen e normës bazë, pavarësisht ecurisë së tregjeve dhe treguesve ekonomikë, duke vënë theksin në rikthimin në objektiv të nivelit të inflacionit.
Besoj se kjo qasje do të ndiqet edhe nga Banka e Shqipërisë, pasi siç edhe citohet në deklaratën e politikës monetare, niveli i inflacionit mbetet ende i lartë dhe ndërhyrje të tjera të politikës monetare vlerësojmë se mund të jenë të nevojshme në vijim, për ta sjellë inflacionin në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024.
Thënë kjo, rritjet e mëtejshme të normës bazë pritet të sjellin sërish shtrenjtim të normave të interesit të titujve shtetërorë, por gjithsesi ajo pritet të jetë e krahasueshme me ritmet e normës bazë dhe kurrsesi në nivelet e rregullimit që ndodhën vitin e kaluar në tregun e titujve.
Ndryshe nga viti i kaluar, ku transmetimi i rritjes së normës bazë ishte i amplifikuar, i kushtëzuar nga pasiguria dhe hezitimi i lartë i aktorëve për pjesëmarrje, aktualisht pjesëmarrja në ankande është ndjeshëm e lartë, gjë e cila ndikon në amortizimin e transmetimit të rritjes së normës bazë në normat e interesit të titujve që janë më afatgjatë.
Siç dihet dhe është shpjeguar për investitorët, rritja e normave të interesit të titujve ndikon negativisht në uljen e çmimit të instrumenteve/titujve të mbajtur në portofolat e Fondeve të Investimit në vend, të cilët alokojnë pjesën kryesore të investimeve të tyre në tituj.
Kjo mund të sjellë rënie të lehtë të kthimit ditor të tyre, por nga ana tjetër, krijojnë mundësinë e investimeve të reja me norma ndjeshëm më të larta se vitet e kaluara, duke amortizuar efektet negative.
Për këtë arsye, investitorët e fondeve të investimit nxiten të vijojnë të qëndrojnë të investuar, pasi pavarësisht pasigurive që shoqërojnë vitin 2023, pritshmëritë janë për një ecuri më të qetë se viti 2022.
Për shkak të natyrës së tyre, fondet e pensioneve duket se u ndikuan pak nga luhatjet e normave të interesit. Si e vlerësoni ecurinë e këtyre fondeve në vitin 2022 dhe cilat ishin zhvillimet kryesore në këtë segment të tregut?
Nuk është kjo kriza e parë që fondet e pensionit e kalojnë pa shënuar ndikime negative. Kujtoj këtu vitin e tërmeteve 2019, vitet e pandemisë 2020-2021 dhe së fundmi, vitin e luftës e të krizës financiare 2022 e në vazhdim.
Qëndrueshmëria e fondeve të pensionit lidhet me natyrën afatgjatë të tyre dhe destinacionin kryesor që është kursimi i vazhdueshëm me objektiv ruajtjen e cilësisë së jetës edhe në moshën e pensionit.
Bazuar në jetëgjatësinë e skemës së kursimit, fondi i pensionit investohet kryesisht në tituj qeveritarë afatgjatë, të cilët nuk ndikohen nga luhatjet afatshkurtra apo afatmesme të normave të interesit të titujve.
Kjo bën që norma e kthimit që gjeneron fondi i pensionit të jetë e qëndrueshme, e cila ndikon edhe në stabilitetin e kursimeve të individëve. Një arsye tjetër është edhe forma e kursimit, që kryesisht në fondin e pensionit është e rregullt periodike dhe me vlera modeste, gjë që nuk ndikon negativisht në situatën financiare individuale, e cila vitin e fundit ka qenë kritike për shkak të rritjes së lartë të çmimeve në vend.
Konkretisht, fondi Credins Pension mbylli vitin e 11 të aktivitetit, me tregues mjaft pozitivë e duke ruajtur një pozicion të konsoliduar në treg prej vitesh, me 18,778 anëtarë, duke zotëruar 51% të tregut në numër, me rritje të aseteve prej 25% krahasuar me vitin 2021, duke zënë 30% të tregut në vlerë asetesh, ose një vlerë afërsisht 1.7 miliardë lekë, dhe me një normë neto kthimi vjetore prej 3.47%.
Ndonëse, numrat e volumet e fondeve të pensionit janë ende modeste, është për t’u vlerësuar rritja e qëndrueshme e këtij tregu ndër vite, gjë që dëshmon vijimin e një ndërgjegjësimi të shtuar në publik, për të kursyer për moshën e tretë.
Ky është një motiv i qenësishëm për të vijuar me besimin, mbështetjen e nxitjen e këtij tregu nga të gjithë palët e interesuara.
Kuvendi po diskuton ligjin e ri për fondet private të pensioneve. Cili është opinioni juaj rreth ligjit të ri që po diskutohet dhe çfarë efektesh prisni të japë për zhvillimin e tregut të pensioneve private?
Prej disa vitesh po punohet për rishikimin e ligjit që rregullon veprimtarinë e fondeve të pensionit privat në Shqipëri.
Sikurse jam shprehur edhe më parë, tregu i pensioneve vullnetare ka pritur me padurim rishikimin e kuadrit ligjor, në kushtet që ky treg ka shënuar zhvillime pozitive në 11 vitet e fundit. Kërkesat e vazhdueshme nga shoqëritë administruese të fondeve e kanë burimin nga përvoja e gjatë e tyre, si zbatuese në praktikë të ligjit, si dhe nga kërkesat në rritje të klientëve për të pasur stimuj të tjerë nxitës.
Më në fund duket se jemi shumë afër miratimit të një ligji, i cili nuk është thjesht rishikim, por mund të thuhet se është një ligj tërësisht i ri, i bazuar gjerësisht në direktivën europiane të pensioneve.
Gjej rastin të përgëzoj Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për punën e konsiderueshme, gjithashtu dhe të gjitha shoqëritë administruese për kontributin disavjeçar, për ta sjellë projektligjin në këtë variant që po paraqitet në Kuvend.
Përveç të gjitha standardeve ndërkombëtare të administrimit të fondeve private të pensioneve, si risinë kryesore që dëshiroj të përmend është që ky ligj do të sjellë lehtësi të shtuara fiskale për individin dhe për punëdhënësit që do të vendosin të krijojnë plane pensioni për punonjësit e tyre.
Konkretisht do të rritet limiti i zbritshëm fiskal vjetor për individin, për efekt të tatimit mbi të ardhurat personale, nga një vlerë fikse e pandryshuar prej vitit 2009 prej 200,000-250,000 lekë, në varësi të moshës (përkatësisht nën 50 vjeç – mbi 50 vjeç), në pagë minimale vjetore, limit i cili përveçse është më i lartë (480,000 lekë në vit) do të ndryshojë sa herë ndryshon paga minimale.
I njëjti limit vlen edhe për punëdhënësit, për të cilët njihet si shpenzim i zbritshëm për efekt të tatimfitimit, kontributi i bërë për punonjësit në kuadër të një plani pensioni, limiti sot është maksimalisht 250,000 lekë në vit për çdo punonjës, do të bëhet sa paga minimale vjetore për çdo punonjës.
Pra, individët mund të kursejnë më shumë për pension, njëkohësisht mund të paguajnë më pak tatim mbi të ardhurat për këtë kontribut që do të shkojë për pension.
Sa më sipër, është përmirësim i lehtësive fiskale në momentin e kontributeve. Por çfarë pritet të ndodhë në fund, kur të plotësohen kushtet për t’u tërhequr pensioni?
Sipas projekt-ligjit të propozuar, nëse plotësohen kushtet për të përfituar pensionin, nuk tatohet më e gjitha vlera e përfituar (sikurse është në ligjin aktual), por vetëm e ardhura nga interesi i investimit me kushtin që individi të tërhiqet në baza mujore për të paktën një periudhë dyvjeçare.
Duhet të kemi parasysh diçka, projektligji rregullon funksionimin e fondeve private të pensionit, të cilat janë ende vullnetare, dhe jo të detyrueshme.
Ecuria e këtyre fondeve është tërësisht në dëshirën dhe vullnetin e individit, apo të shoqërive punëdhënëse, për të kontribuar ose jo në to. Thënë kjo, lehtësitë për të nxitur pjesëmarrjen e individëve apo të shoqërive nuk janë asnjëherë të mjaftueshme dhe nuk duhen parë si statike apo të pandryshueshme për një kohë të gjatë.
Nga disa pikëpamje, ajo e individit, e shoqërisë punëdhënëse dhe e shoqërisë që administron fonde pensioni, mendoj se trajtimi fiskal në momentin e përfitimit duhet të ishte më i gjerë.
Thënë sa më sipër, mendoj se ligji i ri do ta zhvillojë më tej tregun, përmes formave të reja të parashikuara si fondet e mbyllura përmes sponsorit, apo konceptit fantastik të auto-enrolment, që konsiston në përfshirjen automatike të punonjësve me fillimin e punës në planin e pensionit të krijuar nga punëdhënësi.
Cilat mund të jenë risitë e pritshme në tregun e fondeve të pensioneve dhe investimeve në periudhën në vazhdim?
Me gjithë tronditjen e tregut financiar gjatë vitit 2022, mendoj se si publiku, ashtu edhe shoqëritë administruese e rregullatorët, kanë dalë më të fortë e më të përgatitur. Pika më e fortë e krizës për fondet mendoj se ka kaluar dhe tregu është në një fazë rimëkëmbje dhe stabilizimi. Besoj se kjo do të jetë klima gjatë gjithë vitit 2023.
Për të pasur vlerësim real të titujve në fonde është e domosdoshme një bursë vibrante me transaksione ditore që reflekton saktë vlerën e titujve. Modeli i vlerësimit që ne kemi është i cunguar dhe në momentet e zhvillimeve të tregut, nuk i reflekton saktë çmimet në kohë reale.
Hapja e tregut referencë, me detyrimin e bankave “market maker” që me çmimet e kuotuara të detyrohen të shesin dhe blejnë me cilindo institucion financiar që dëshiron të kryejë një transaksion, do të ishte hapi i parë.
Rregullimi i strukturës së kuotimeve ditore të bankave referencë mundësisht brenda Bursës do të siguronte të paktën çmime reale bazuar në transaksione konkrete për një pjesë të mirë të titujve.
Nga ana tjetër, fondet e pensionit shohin si të domosdoshme kursimin e detyruar në fondet private për të rinjtë e punësuar rishtas.
Nga përvoja, njerëzit bëhen të vetëdijshëm për ardhjen e pashmangshme të moshës së pensionit vetëm në të 40-at. Por që një plan pensioni të ketë efektivitet, nevojitet që ai të nisë që në vitin e parë të punës kur anëtarët janë në të 20-at.
Për ta arritur këtë, mbetet e domosdoshme futja e detyrimit për kontribut minimal në një fond pensioni për punonjësit nën 40 vjeç.
Fondet e investimit dhe fondet e pensionit, në perspektivën time, vijojnë të jenë e ardhmja e tregut financiar, janë produkte që do të zhvillohen më tej për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të publikut, për më shumë elasticitet dhe përfitueshmëri.