05 Pri Miratohet Prospekti i Fondit të Pensionit “Credins Pension”
Në përmbushje të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga ligji nr. 10197, datë 10.12.2009 “Për Fondet e Pensionit Vullnetar”, si dhe Aktet nënligjore të dala nën zbatim të tij, shoqëria “Credins Invest” sh.a., ju njofton se ka kryer përditësimin e Prospektit të Fondit të Pensionit “Credins Pension”, miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me vendimin nr. 65, datë 31.03.2023.
Në prospekt janë miratuar përditësimet si më poshtë:
- Përditësimi i të dhënave për fondin e Pensionit “Credins Pension”, konkretisht seksioni 1, pika 1.1 “Të dhëna historike”;
- Në seksionin 2 “Aspektet kryesore të politikës së investimit” është riformular fjalia e fundit me përmbajtje “Shoqëria informon Anëtarët e Fondit për çdo ndryshim të politikës së investimit të aseteve të Fondit të paktën një muaj përpara këtyre ndryshimeve nëpërmjet mjeteve elektronike. Çdo ndryshim i politikës së investimit do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Shoqërisë Administruese.”;
- Në seksionin 4 “Performanca e fondit dhe informimi i publikut”, është shtuar fjalia e dytë, me përmbajtje: “me përjashtim të rasteve kur faqja zyrtare ka probleme të përkohshme teknike, anëtari mund të informohet me telefon apo pranë zyrës qendrore të Credins Invest.”;
- Në seksionin 7, pika 7.1 “Pagesa e pensionit sipas kritereve të parashikuara me ligj” pas pikës 4 është shtuar fjalia me përmbajtje: “Shoqëria Administruese e fondit të pensionit i njofton anëtarët 3-muaj para lindjes së të drejtës për përdorimin e aseteve neto në llogarinë e tij të pensionit.”;
- Në seksionin 14 “Delegimi i funksioneve të Shoqërisë Administruese”, është riformuluar pika 1 me përmbajtje: “Funksionin e marketimit të Fondit të Pensionit, i cili konsiston në marketimin dhe promovimin e produktit të fondit të pensionit nga Banka Credins dhe rrjeti i degëve.”; dhe është shtuar fjalia e dytë, në pikën 4 me përmbajtje: “Delegimi i këtij funksioni në bazë të marrëveshjes përkatëse është gjithëpërfshirës dhe kryesisht ka lidhje me zhvillimin e marketingut të shoqërisë dhe të të gjitha produkteve të saj.”
Prospekti i plotë i Fondit të Pensionit “Credins Pension” ndodhet i publikuar në faqen tonë zyrtare www.credinsinvest.com.
Faleminderit,
Credins Invest
Prill 2023