Blog

 

Miratohet Prospekti i Fondit të Investimit “Credins Premium”

Miratohet Prospekti i Fondit të Investimit “Credins Premium”

Të nderuar Investitorë,

Në përmbushje të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga ligji  Nr. 56/2020 “Për sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, shoqëria Credins Invest, ju njofton se ka kryer përditësimin e Prospektit të Fondit te Investimit “Credins Premium”, miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me vendim nr. 144, më 30.08.2021, dhe Informacionin Kryesor për Investitorin (KIID).

Bashkë me ndryshimet e diktuara nga kuadri i ri rregullator, është ndryshuar struktura e seksioneve në Prospekt, duke sjellë një renditje që mendohet se është me e përshtatshme dhe me e lehtë për t’u ndjekur nga investitori.

Ju bëjmë me dije se në Prospekt janë shtuar disa përkufizime lidhur me terminologjinë e përdorur dhe është pasqyruar performanca historike e fondit. Gjithashtu, një ndryshim me rëndësi është shtimi i një klase të re aseti, investimi në kuota të fondeve të investimit, me qëllim diversifikimin e portofolit të investimeve. Kuotat e fondeve do të kenë një profil risku të ngjashëm me Fondin Credins Premium, dhe ky i fundit do të vijojë të ketë të njëjtin nivel risku, 2.

Ne jemi vazhdimisht të angazhuar për të bërë investimet e duhura me qëllim arritjen e një norme kthimi konkuruese për investitorët duke ruajtur nivelin e riskut të pranuar prej tyre. Sipas politikës së investimit të miratuar prej fillimit të fondit, asetet e fondit Credins Premium mund të investohen deri në masën maksimale prej 10% të total aseteve, edhe në obligacione të korporatave apo të njësive të qeverisjes vendore (bashkive) që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë. Këtë mundësi nuk e kemi ekzekutuar deri më sot për arsye të mungesës së tregtimit të këtyre titujve në një treg të rregulluar siç është Bursa e Titujve. Me zhvillimet e reja pozitive në tregun e kapitalit, Fondi Credins Premium do të investojë edhe në tituj korporativë brenda limitit 10%, sipas politikës së investimit në Prospekt, në varësi të mundësive që do të ofrojë tregu i kapitalit në Shqipëri.

Prospektin e plotë dhe Informacionin Kryesor për Investitorin mund ti shfletoni elektronikisht në faqen tonë zyrtare: www.credinsinvest.com

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,
Credins Invest

10 Shtator 2021