Blog

Merrni vendime të informuara për investimin tuaj

Merrni vendime të informuara për investimin tuaj

Individët investojnë për shumë arsye. Pavarësisht se cilat mund të jenë qëllimet tuaja personale financiare, për t’i arritur ato, duhet të siguroheni që paratë tuaja po punojnë shumë dhe po punojnë zgjuar! Por me tregjet e ndërlikuara globale të ditës së sotme dhe kaq shumë zgjedhje investimesh në dispozicion, mund të jetë e vështirë të vendosni se çfarë është e drejtë për ju. Kuptimi i disa koncepteve themelore mund t’ju ndihmojë të merrni vendime më të informuara në lidhje me investimin.

Ekzistojnë lloje të ndryshme të investimeve, dhe secili ka qëllimin e vet dhe përfitimet e mundshme. Le të fokusohemi tek obligacionet, si një mundësi investimi më e prekshme nga ana e investitorit shqiptar.

Çfarë janë obligacionet?

Obligacionet janë një mënyrë me anë të së cilës një njësi ekonomike siguron para duke marrë hua nga një njësi tjetër ekonomike. Për shembull, qeveritë dhe korporatat emetojnë obligacione kur kanë nevojë për burime kapitali për të financuar aktivitetet e tyre. Këto obligacione nga ana tjetër blihen nga investitorët të cilët duan të gjenerojnë të ardhura nga fondet e tyre.

Praktikisht, kur investitorët blejnë obligacione qeveritare, ata janë duke i huazuar para qeverisë. Në të njëjten mënyre, kur investitorët blejnë obligacione korporative, ata janë duke i huazuar para një kompanie.

Obligacioni i paguan obligacion-mbajtësit një shumë interesi periodike që ndryshe quhet kupon. Në fund të jetës së obligacionit – që quhet maturim principali – shuma fillestare e investuar i paguhet investitorit.

Le të shohim një shembull

Qeveria e vendit X dëshiron të ndërtojë një vepër infrastrukturore që kushton 100 milion lekë. Për të mbledhur paratë e nevojshme, drejtuesit e financave të qeverisë vendosin të emetojnë obligacione qeveritare. Çdo obligacion do të lëshohet me një vlerë prej 100 lek – që quhet vlera nominale e obligacionit.

Qeveria – ose emetuesi i oligacioneve – ofron një normë kuponi prej 1% në vit, që do të paguhet çdo 6 muaj. Obligacionet do të maturohen pas 2 vitesh, kohë në të cilën qeveria do të shlyejë vlerën prej 100 lek për secilin obligacion-mbajtës.

A janë obligacionet investimi i përshtatshëm për mua?

Përgjigja do të varet nga qëllimi juaj i investimit. Disa investitorë zgjedhin obligacione për potencialin e tyre e të gjeneruarit të ardhura. Obligacionet bëjnë pagesa fikse dhe periodike. Ju gjithashtu mund të zgjidhni obligacione nëse dëshironi që investimi juaj të rritet, duke pasur parasysh potencialin e një obligacioni për ri-vlerësim pozitiv të çmimeve. Është me rëndësi të mbani mend që, ashtu si çdo investim, ekziston gjithashtu mundësia që çmimet të bien, pra të ketë rivlerësim negativ.

Shumë individë investojnë në obligacione sepse këto të fundit ofrojnë kthime më të qëndrueshme sesa aksionet. Në vitin e tyre më të keq kalendarik që nga viti 1989, aksionet ranë 38%, ndërsa obligacionet ranë më pak se 3%. Gjithashtu obligacionet mund të ndihmojnë në diversifikimin e portofolit tuaj. Obligacionet shihen shpesh si një plotësues i mirë i aksioneve, sepse çmimet e aksioneve dhe të obligacioneve shpesh lëvizin në drejtime të kundërta. Diversifikimi mund të zvogëlojë rrezikun e përgjithshëm dhe të ndihmojë në ruajtjen e pasurisë tuaj.

Nëse investimi në obligacione është i përshtatshëm për mua, atëhere si mund të investoj në to?

Ju mund të blini obligacione individualisht, por për shumë individë dhe investitorë profesionistë, një fond investimi që investon në obligacione është më i preferueshëm.

Në një fond investimi të obligacioneve:

  • Një menaxher profesionist i portofolit do të kërkojë për oportunitete në të gjithë tregjet, do të hulumtojë dhe do të përzgjedhë obligacionet më të favorshme për ju.
  • Fondet e obligacioneve gjithashtu ju japin mundësi për një gamë më të gjerë të obligacioneve, duke siguruar një mundësi për të rritur potencialin e kthimit dhe për të diversifikuar rrezikun.
  • Disa prej fondeve të obligacioneve ju sigurojnë likuiditet më të lartë sesa investimi direkt në obligacione, duke ofruar mundësi tërheqjeje në çdo kohë.
  • Një fond obligacionesh kujdeset që çdo e ardhur në formën e kuponave të riinvestohet duke rritur potencialin e kthimit.
  • Fondi i jep mundësinë çdo investitori që me shuma të vogla të behet pjesë e një fondi të madh. Ndërkohë investimi direkt në obligacione, për shembull në obligacionet e Shtetit Shqiptar, kërkon një shumë minimale investimi (300,000 Lek për investime në Bono dhe 500,000 Lek për investime në Obligacione).
  • Transaksionet në volume të mëdha i japin mundësi fondit të minimizojë kostot e transaksioneve të shitjes dhe blerjes së obligacioneve dhe rrjedhimisht të maksimizojë normën e kthimit për investitorin.