Baza Ligjore per Fondin e Pensionit

Baza Ligjore

Ligji nr.10197 datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar” miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe rregulloret mbështetëse, të nxjerra nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare janë baza e aktiviteteve dhe operacioneve të Fondit të Pensionit Vulnetar. Kërkesat e ligjit dhe rregulloreve përbëjnë një pjesë integrale të Prospektit të Fondit Credins Pension

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare me adresë Rruga “Dora D’istria”, Nr.10 P.O. Box 8363, Tiranë, Albania, ushtron mbikqyrjen mbi aktivitetet e Shoqërisë Administruese, të Fondit dhe Depozitarit.

Ligji nr.10197 datë 10/12/2009 “Për fondet e pensionit vullnetar”
Shkarkoni Dokumentin

Depozitari

  • Asetet e Fondit ruhen në Bankën Depozitare.
  • Banka Depozitare licensohet nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për aktivitetin e kujdestarisë dhe depozitarit të Fondeve të Pensionit.
  • Banka Depozitare rregullohet dhe mbikëqyret nga AMF.
  • Banka Depozitare ka si qëllim të mbrojë interesat e anëtarëve në fond.
  • Banka Depozitare ka për detyrë të raportojë çdo shkelje të Shoqërisë Administruese në AMF.
  • Ajo kryen funksionin e kontrollit të zbatimit të ligjshmërisë dhe raportimit të pavarur për Fondin.
  • Fondi nuk mbart asnjë rrezik të bankës Depozitare dhe as të Shoqërisë Administruese, sipas ligjit Shqiptar dhe parimeve ndërkombëtare të krijimit dhe administrimit të Fondeve.
  • Asetet e Fondit nuk do mund të jenë objekt i pretendimeve ose ekzekutimeve, të kryera në emër dhe për llogari të kreditorëve të Shoqërisë Administruese apo Depozitarit.
  • Fondi nuk mund të jetë pjesë e procedurës së falimentimit.
  • Tirana Bank sh.a. është banka depozitare për Fondin e Pensionit.

Trajtimi fiskal i Fondit të Pensionit

Fondi është një grup asetesh, i krijuar në bazë kontrate dhe pa personalitet juridik, për rrjedhojë nuk i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat, ose taksës mbi vlerën e shtuar. Taksimi i Fondit bazohet në Ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi te ardhurat”i ndryshuar, si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga anëtarët
  • Në përputhje me ligjin Nr. 10 197, datë 10.12.2009 Për Fondet e Pensionit Vullnetar, Neni 88:
  • Kontributi i bërë nga çdo anëtar në Fond zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi.
  • Kthimi i investimit përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e Fondit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë Fondin dhe as për shoqërinë administruese.
  • Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribues tjetër në emër dhe për llogari të anëtarit të Fondit për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit.
  • Në rast se anëtari në Fond është nën 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200 000 lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
  • Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250 000 lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
  • Blerja e kuotave të Fondit është shërbim financiar dhe si rrjedhojë është e përjashtuar nga TVSH-ja.
  • Shërbimet e ofruara nga Depozitari për Shoqërinë Administruese dhe anëtarët vlerësohen si shërbim financiar dhe si rrjedhojë janë të përjashtuara nga TVSH-ja.
  • Tatimi që shoqëron tërheqjen e parakohshme është sa norma e zbatueshme në çastin e tërheqjes
Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga punëdhënësi

Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me 250 000 lekë, dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i zbritshëm, për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit.

Trajtimi fiskal i perfitimeve të marra nga anëtari

Çdo pagesë e marrë nga anëtari i Fondit në momentin kur mbush kushtet ligjore për përfitim tatohet me tatimin mbi të ardhurat personale.


Tërheqja e parakohshme:

Nëse anëtari i Fondit kërkon të tërheqë asetet e akumuluara në llogarinë e tij individuale pa përmbushur kriteret ligjore për të përfituar, kjo konsiderohet tërheqje e parakohshme. Tërheqja e parakohshme shoqërohet me penalitetin e tërheqjes së parakohshme.

Penaliteti i Tërheqjes së Parakohshme: Në rastin e tërheqjes së parakohshme Shoqëria Administruese do të aplikojë penalitete të cilat do të llogariten mbi vlerën neto të aseteve të kërkuara për t’u tërhequr para kohe pasi është zbritur tatimi sipas legjislacionit në fuqi në momentin e tërheqjes. Llogaritja do të kryhet në raport me kohëzgjatjen e Anëtarit në Fond dhe më konkretisht:

  • jo më pak se 2% dhe jo më shumë se 5% të aseteve të tërhequra për cdo tërheqje të parakohshme pas 20 viteve nga data e kontributit të parë;
  • jo më pak se 5% dhe jo më shumë se 10% e aseteve të tërhequra për çdo tërheqje të parakohshme kryer në periudhën kohore që fillon pas 10 vitesh nga data e kontributit të parë deri në 20 vjet të kontributit të parë përfshirë dhe vitin e 20-të;
  • jo më pak se 10% dhe jo më shumë se 15% të aseteve të tërhequra për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore që fillon pas 5 vitesh deri në 10 vjet nga data e kontributit të parë përfshirë dhe vitin e 10-të;
  • jo më pak se 15% dhe jo më shumë se 20% të aseteve të tërhequra për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore deri në 5 vjet nga data e kontibutit të parë përfshirë dhe vitin e 5-të.

Përqindja konkrete e penalitetit për çdo rast sipas përcaktimeve në pikat 1,2,3,4 do të llogaritet në mënyrë përpjestimore në varësi të periudhës të derdhur të kontributeve.

Për efekt të llogaritjes së penalitetit të tërheqjes së parakohshme si datë e kontributit të parë do të konsiderohet data e parë e derdhjes së kontributit në fondin e parë të pensionit.


Trashëgimi i Fondit:

Nëse anëtari vdes përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta, asetet në llogarinë e tij do t’i shpërndahen trashëgimtarëve në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë trashëgiminë.

This post is also available in: English