30 Qer Diversifikimi i investimeve rrit mbrojtjen e fondeve…
Rritja e normave të interesit gjatë këtij viti do të ketë efekte afatshkurtra negative në kthimet nga fondet e investimit, por nuk do të prekë fondet e pensionit. Estela Koçi, Administratore e Përgjithshme e shoqërisë Credins Invest, në intervistën për revistën Monitor, thotë se kontributet për fonde pensioni që do të mblidhen gjatë vitit, do të investohen me norma interesi më të larta. Megjithatë, nënvizon se tregu financiar shqiptar ka nevojë të menjëhershme për rritjen e gamës së instrumenteve financiare që tregtohen, në mënyrë që të diversifikohen portofolet e investimeve të fondeve të pensionit.
Si e vlerësoni ecurinë e fondeve të investimeve dhe fondit të pensioneve private gjatë vitit 2021? Cilët ishin faktorët kryesorë që përcaktuan ecurinë e këtyre tregjeve vitin e kaluar?
Viti 2021 është karakterizuar nga rritje e aktivitetit ekonomik dhe investimeve. Procesi i vaksinimit masiv të popullatës, solli lehtësimin e masave anti-COVID dhe hapje të mëtejshme të ekonomisë gjatë muajve të verës. Rritja e aktivitetit ekonomik pati efekt pozitiv në rritjen ekonomike dhe rritje të optimizmit për investime në tregun financiar. Gjithashtu, politikat monetare expansioniste që ndërmori Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2020, njëra nga të cilat ishtë ulja e normën bazë nga 1% në 0.5%, dhanë efektet pozitive në vitin 2021, duke rritur likuiditetin në treg dhe duke ulur interesat e borxhit të brendshëm në ankandet e titujve qeveritarë.
Rrjedhimisht, fondet e investimit dhe të pensioneve private patën efekte pozitive si në kthime më të larta nga investimi, dhe në rritje të nivelit të investimeve. Ne fund të vitit 2021, vlera neto e aseteve të fondeve të pensionit u rrit me 981.27 milionë lekë ose 27.23%, ndërsa numri i anëtarëve rezultoi 33,571 anëtarë duke shënuar një rritje prej 8.22% krahasuar me 31.12.2020.
Ndërkohë, vlera neto e aseteve të fondeve të investimit pati rritje prej 10,287 milionë lekë ose 15.26%, ndërsa numri i anëtarëve që kanë investuar në fondet e investimit më 31.12.2021 është 40,053 me një rritje prej 26.65% krahasuar me 31.12.2020.
Faktorët kryesorë të rritjes në tregun financiar vendas ishin, besimi i investitorëve për një trend pozitiv në ekonomi dhe likuiditeti i lartë i aktorëve financiarë në vend.
Prej fundit të vitit të kaluar, ka nisur një tendencë e rritjes së normave të interesit/yield-eve për Euron, ndërsa muajt e fundit një tendencë e tillë po vërehet edhe për instrumentet në Lekë. Çfarë ndikimi ka pasur deri tani kjo rritje për fondet e investimit dhe të pensioneve në Shqipëri?
Rritja e lartë ekonomike e cila shoqëroi ekonomine botërore gjatë vitit 2021 dhe rritja e likuiditetit në treg, krijoi presion në rritje të cmimeve të artikujve në mbarë botën në fillim të vitit 2022. Konflikti ushtarak Rusi-Ukrainë rriti me tej presionin për shkak të rritjes së cmimit të energjisë dhe kostove të prodhimit. Si rrjedhim, gjatë muajve të parë të vitit 2022 kemi rritje të lartë të nivelit të inflacionit, e cila ka sjellë rritje të normave të interesit në tregjet financiare europiane.
Edhe vendi ynë, megjithëse me ndikime më të vogla se ekonomitë e huaja, u impaktua duke sjellë një rritje të menjëhershme të nivelit të inflacionit. Si rezultat, veprimet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në kuadër të politikës së saj monetare për të frenuar inflacionin ndikuan në një rritje të shpejtë të normave të interesit të titujve të Qeverisë Shqiptare në të gjitha maturitetet. Rritja e normës bazë në nivelet e para pandemisë prej 1% u reflektua më shpejt nga çfarë pritej në nivelin e normave të interesit të titujve qeveritarë.
Nga ana tjetër, vihet re një hezitim nga aktorët e tregut financiar për pjesëmarrje në ankandet e zhvilluara nga Ministria e Financave duke sjellë një mbulim relativisht të ulët të ankandeve dhe për pasojë një rritje të lartë të normave të interesit për çdo maturitet.
Kjo situatë ka ndikuar negativisht Fondet e Investimit në monedhën lek, të cilët kanë pothuajse të gjithë alokimin e aseteve në tituj të Qeverisë Shqiptare. Për ta qartësuar, ekziston një lidhje e kundërt midis çmimit të instrumenteve financiare me normën e interesit, dhe rritja e kësaj të fundit ndikon në uljen e vlerës së tregut të instrumenteve financiare të Fondeve. Për rrjedhojë, rritja e normave të interesit ka sjellë një rënie të vlerësimit të çmimit të kuotës dhe kthimit nga investimi për investitorët.
Përsa i përket fondeve të pensionit, ecuria e kthimit vjetor dhe e çmimit të kuotës, për shkak të natyrës afatgjatë të këtyre fondeve, nuk ndikohet nga ecuria e inflacionit dhe e normave të interesit. Fondet e Pensioneve investojnë në tituj afatgjatë të Qeverisë së Shqipërisë dhe aktualisht këto fonde kanë mundësinë që kontributet e vitit t’i investojnë në tituj me normë kthimi më të lartë në krahasim me vitin e kaluar për shkak të rritjes së normave.
Një nga rreziqet e inflacionit të lartë është ulja e kthimeve reale nga investimet afatgjata, sidomos të atyre të lidhura me fondet e pensionit. Si mund të amortizohet ky efekt, në kushtet e alternativave të kufizuara të investimit që ofron tregu financiar në Shqipëri?
Fondet e pensionit privat për nga natyra, si fonde afatgjatë, mbartin riskun e inflacionit në të ardhmen. Megjithatë, niveli i lartë aktual i inflacionit vjen kryesisht nga faktorë që konsiderohen të përkohshëm, dhe si i tillë, trendi pritet të ketë kohëzgjatje të përkohëshme. Sipas parashikimeve të publikuara nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe Banka e Shqipërisë, niveli i lartë i inflacionit pritet të stabilizohet dhe të arrijë në objektiv brenda një periudhe 2 vjeçare. Gjithashtu, normat më të larta të interesit të titujve në tregun vendas, në të cilat invesojnë Fondet e Pensioneve, amortizojnë pjesërisht efektet negative të inflacionit aktual.
Megjithatë, tregu financiar shqiptar ka një nevojë të menjëhershme për rritjen e gamës së instrumenteve financiare që tregtohen, në mënyrë që të diversifikohen portofolet e investimeve të fondeve të pensionit.
Në këtë kuadër, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka hartuar projektligjin e ri për fondet e pensioneve private. Drafti paraprak i projekt ligjit, krahas incentivave për të investuar në këto fondet, kanë të parashikuar dhe rritjen e hapësirave të lejuara për investime duke zgjeruar kategoritë e instrumenteve financiare ku fondet e pensionit mund të investojnë.
Së fundmi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar një projektrregullore që do të bëjë të zbatueshme shitjen në Shqipëri të kuotave të fondeve të investimit të licencuar në BE. Si e vlerësoni një hap të tillë dhe çfarë ndikimesh mund të japë në tregun shqiptar?
Projekt rregullorja e hartuar dhe dërguar për mendim nga Autoriteti “Për njohjen e SIK me ofertë publike të licencuar në një vend anëtar të BE-së dhe shoqërisë administruese apo degës së shoqërisë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive të licencuar në një vend anëtar të BE-së për shitjen dhe marketimin e SIK me ofertë publike në Republikën e Shqipërisë”, plotëson kuadrin rregullativ për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive në Shqipëri. Së pari, ne vlerësojmë dhe përgëzojmë Autoritetin për punën dhe angazhimin e ndërmarrë në këto dy vite për të plotësuar kornizën ligjore dhe rregullative të SIK në Shqipëri.
Pas konsultimit të aktit, vlerësojmë që projekt-rregullorja rregullon vetëm një pjesë të procesit të njohjes së SIK apo shoqërive administruese të huaja dhe kuadri ligjor do të duhet të plotësohet me rregullore të tjera siç e parashikon ligji. Referuar ligjit për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive, nuk njihen shoqëritë administruese apo SIK të vendeve të BE pa u miratuar aktet rregullative përkatëse.
Gjithashtu, do të konsideronim të drejtë licencimin e një përfaqësie në Shqipëri për administrimin e SIK të huaj (ose dege, përfaqësi) ose edhe bashkëpunimin me shoqëritë ekzistuese të licencuara në tregun shqiptar, ku kjo e fundit mendojmë se sjell mjaft benefite për tregun shqiptar në terma know-how dhe zhvillimi produktesh të reja.
Këto dhe komente të tjera specifike mbi nenet e projekt -rregullores janë dërguar në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare dhe besojmë që do të merren në konsideratë në aktin përfundimtar që do të miratohet.
Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për vitin 2022? Si prisni ta ndikojë tregun e fondeve të pensionit dhe investimit inflacioni i lartë dhe rritja e mëtejshme e normave të interesit?
Siç u përmend edhe më sipër, viti 2022 krahas rritjes së menjëhershme të inflacionit si në ekonomitë e huaja ashtu edhe në Shqipëri, u shoqërua edhe me nisjen e konfliktit të ashpër Rusi-Ukrainë, i cili përkeqësoi edhe më tepër treguesit makroekonomike të shteteve europiane por jo vetëm.
Tendenca në rritje e inflacionit po shoqëron dhe tregun vendas. Banka e Shqipërisë ka parashikuar nivelin e inflacionit në nivelet 6-7% për vitin 2022, dhe ka zgjatur afatin për arritjen e objektivit përsa i përket nivelit të inflacionit presj 3% deri në vitin 2024.
Këta tregues dhe parashikime, në ekonomi kanë sjellë pasiguri të lartë në tregun financiar sa i përket investimeve në titujt qeveritarë. Inflacioni pritet të vazhdojë të jetë në nivele të larta gjatë vitit 2022, duke sjellë pasiguri sa i përket investimeve në titujt qeveritarë dhe si rrjedhojë vazhdim të trendit rritës të normave të interesit dhe të kostove të borxhit të brendshëm për qeverinë shqiptare.
Ky trend rritës pritet të këtë efekte negative në kthimet e fondeve të investimit dhe në investimet e reja të investitorëve në këto produkte financiare gjatë vitit 2022.
Sikurse theksuar më lart, fondet e pensionit nuk do të ndikohen në kthimet vjetore për shkak të trendit rritës të normave, përkundrazi, kontributet që do të mblidhen gjatë vitit do të investohen me norma interesi më të larta.