Blog

Dëshiron më shumë liri financiare në 2022?

Dëshiron më shumë liri financiare në 2022?

Ja disa këshilla të thjeshta për këdo.
Kushdo që ka vendosur në objektivat e vitit të ardhshëm përmirësimin e marrëdhënies me paranë, duhet të aplikojë disa rregulla bazë, që do ta çojnë drejt një lirie financiare gjithmonë e më të madhe.
Një nga këshillat kryesore të çdo eksperti financiar është që çdokush duhet të kursejë 20% të të ardhurave mujore, duke grumbulluar kursime dhe duke shlyer çdo detyrim. Duket një këshillë e thjeshtë, por nëse nuk vendos të fokusohesh në këtë qëllim, rritja financiare sigurisht që bëhet e vështirë. Nuk është kurrë vonë dhe viti që po vjen, na jep të gjithëve edhe njëherë mundësinë të aplikojmë rituale të reja financiare.
Më poshtë janë disa këshilla si mund ta përmirësosh situatën financiare duke filluar nga fillimi i vitit 2022.

1. Vendos objektiva të qarta financiare
Çfarë janë saktësisht objektivat financiare? Ato janë thjesht plane kursimi, shpenzimi dhe investimi që një individ vendos të realizojë për një periudhë të caktuar kohore. Nëse respekton këto plane çdo ditë të jetës tënde, nuk do të kesh asnjëherë problem me paratë. Këto plane do të ndalojnë të përdorësh kartën e kreditit për blerje të panevojshme dhe do të detyrojnë të mendohesh mirë nëse blen diçka luksoze në mënyrë impulsive. Plani financiar me një afat të shkurtër mund të jetë fond për shpenzime mjekësore, humbjen e papritur të punës apo për udhëtime, ndërsa plani afatgjatë mund të lidhet me një fond pensioni vullnetar ose të ardhmen e fëmijëve.

2. Mbaj shënim lëvrimin e parave
Edukohu për zhvillimin financiar, pasi vetëm ti mund të bëhesh financieri më i mirë i vetes tënde. Nuk të duhet një diplomë për të mësuar disa koncepte dhe praktika bazë për të regjistruar gjurmët e hyrjes apo daljes së parave nga llogaritë e tua. Përveçse mbajtjes së veprimeve shënim në një dokument Excel, mund të shkarkosh në telefon edhe aplikacione të posaçme që të lehtësojnë të mbash shënim çdo veprim financiar. Këto mjete të motivojnë dhe ndihmojnë të mbash vëmendjen në qëllimet e tua financiare.

3. Fillo investimet, kursimi fillon përpara shpenzimit
Nëse i vendos kursimet e tua në një llogari bankare kursimi, pas disa kohësh aty do të shtohen interesat. Dhe pse fitimi mund të duket i vogël, kjo është një metodë shumë e mirë për të shtuar para në mënyrë pasive. Nëse do që të rrisësh fitimin nga përdorimi i parave që ke, në vitin 2022 duhet të konsiderosh shumë investimin e tyre. Nëse vërtet të tërheq të investosh, mund të fillo me një sasi të vogël parash. Ka shumë mënyra se si mund të investosh, në varësi të mundësive aktuale, qëllimeve që ti ke dhe horizontit të investimit.

4. Paguaj në kohë detyrimet e tua
Përdorimi i aplikacioneve online është një mënyrë shumë e mirë për të bërë pagesa për shpenzime të ndryshme. Gjithashtu pagesat online ofrojnë lehtësi, siguri apo benefite në formën e pikëve apo ofertave për pagesa shërbimesh apo blerje mallrash. Në këtë mënyrë mund të paguani rregullisht detyrimet tuaja, të shmangni penalitetet për pagesat e vonuara dhe të krijoni mënyra kursimi dhe investimi. Përdore këtë mënyrë për të kultivuar një vetëkontroll në menaxhimin e pagesave.

5. Apliko kursimin automatik
Ndodh të harrosh të bësh transfertën që kishe planifikuar në llogarinë e kursimeve. Mund të ndodhë gjithashtu që i ke shpenzuar paratë që do kurseje. Ndaj, mënyra më praktike dhe e sigurtë e kursimit është automatizimi i procesit sipas mënyrës që ti dëshiron. Në këtë mënyrë ti shmang radhën dhe shpenzimin e kohës për të dorëzuar paratë vetë në bankë, harresën dhe tundimin për t’i shpenzuar rrugës për atje. Jo vetëm kaq. Mund të mendosh për një afat më të gjatë, duke krijuar një fond pensioni vullnetar me Credins Invest. Duke kaluar në fondin e pensionit automatikisht një vlerë të caktuar, do të sigurosh në moshën e tretë një periudhë të begatë.
Zbatimi i këtyre zakoneve të shëndetshme në mënyrë periodike dhe afatgjatë, do të të sigurojë një jetë të lirë dhe pa telashe financiare, edhe kur nuk do të kesh mundësi të punosh. Nëse ende nuk i ke bërë këto hapa, fillo në 2022.