26 Mar Çfarë na mëson java globale e parasë?
Menaxhimi i parasë duket se vazhdon të jetë një nga çështjet kryesore që të rriturit hasin vështirësi. Shumica e të rriturve kanë adaptuar zakonet financiare në momentin që kanë patur një burim të ardhurash personal që zakonisht është nga puna, pra nga mosha 18 vjeç e sipër. Ndërkohë fëmijët nuk e marrin si njohuri menaxhimin e parasë nëpërmjet arsimit, por nëpërmjet edukimit në familje. Megjithatë duket se kjo situatë mund të ndryshojë. A e dini se ka forma të ndryshme se si fëmijët sot mund të mësojnë më shumë rreth parasë?
Java Globale e Parasë, një iniciativë e organizuar për Fëmijët dhe të Rinjtë, është një fushatë vjetore e ndërgjegjësimit financiar, e ndërtuar për të frymëzuar fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me paranë, stilin e jetesës dhe sipërmarrjet.
Vit pas viti pjesëmarrja në Javën Globale të Parasë bëhet akoma më e rëndësishme. Të dhënat e fundit ndërkombëtare tregojnë se shumica e të rinjve nuk janë në gjendje të kryejnë llogaritje shumë të thjeshta në lidhje me normat e interesit. “Panjohuria financiare” i vendos në vështirësi fëmijët dhe të rinjtë e vendeve në zhvillim dhe ekonomitë në tranzicion.
Në shumë sisteme arsimore mbarë botës nuk i kushtohet vëmendja e duhur njohurive financiare. Në shumë kultura pritet që fëmijët të mësojnë rreth parave nga prindërit e tyre ose nga anëtarët e familjes, por një pjesë e prindërve nuk janë edukuar vetë së pari rreth parasë, dhe për pasojë në shumë raste kanë probleme financiare.
Hulumtimet kanë treguar se sa më herët fëmijët të mësojnë rreth parasë, kursimit dhe investimit, aq më mirë aftësohen t’i menaxhojnë financat e tyre personale kur të jenë më të rritur. Edukimi financiar në moshë të hershme ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të marrë vendime më të mira financiare në lidhje me kreditë studentore, strehimin, makinën e parë, udhëtimet dhe shpenzime të tjera. Këto aftësi i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë të kuptojnë dallimin midis fitimit, kursimit dhe shpenzimit, duke i bërë ata menaxherë më të mirë, të aftë për të praktikuar zakone më të shëndetshme në menaxhimin e parave.
Gjithashtu ekzistojnë edhe disa arsye praktike pse edukimi financiar duhet të fillojë herët. Një pjesë e mirë e fëmijëve nuk e përfundojnë arsimin e tyre bazë dhe si rezultat nuk e marrin një diplomë, duke ulur potencialin e tyre për një të ardhme fitimprurëse. Në mënyrë që t’i ndihmojmë këta fëmijë, kemi nevojë të arrijmë tek ta ndërsa janë ende në shkollë. Për këtë arsye, fokusi duhet të jetë në edukimin e fëmijëve në ciklin fillor dhe atë të mesëm.
Elementet thelbësore të kësaj qasje janë në përputhje të plotë me temën e Javës Globale të Parasë, e cila këtë vit është “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua”. Ndërkohë që pjesa e parë e fjalisë ka lidhet me situatën aktuale të pandemisë, pjesa e dytë na tregon se sa i rëndësishëm është menaxhimi i parave.
Si të mësojnë fëmijët të menaxhojnë paratë me zgjuarsi – Edukimi i fëmijëve dhe i të rinjve për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre sociale dhe ekonomike është thelbësore për krijimin e një brezi të rriturish të aftë, të cilët mund të marrin vendime të mençura për të ardhmen e tyre.
Kursimi për të ardhmen e tyre – Është e rëndësishme për fëmijët dhe të rinjtë të ndërtojnë zakone të shëndetshme kursimi që në moshë të vogël, në mënyrë që të kultivojnë aftësitë kryesore të administrimit të parave për më vonë në jetë.
Si të fitojnë para duke u kujdesur për veten dhe për familjet e tyre – Zhvillimi i aftësive për jetën ose marrja e trajnimeve lidhur me sipërmarrjen, i ndihmon fëmijët dhe të rinjtë të edukohen vazhdimisht dhe të arrijnë synimet e tyre, për të patur një profesion në të ardhmen dhe një punë me burim të sigurt të ardhurash, madje i shton shanset që në të ardhmen të ndërtojnë biznesin e tyre ose të kenë një karrierë të suksesshme.
Ne në Credins Invest, besojmë se fëmijët dhe të rinjtë e sotëm duhet të bëhen qytetarë ekonomikisht të fuqizuar, të aftë për të kuptuar rëndësinë e kursimit dhe të pajisur me aftësi për të gjetur punë dhe për të krijuar jetesën e tyre me një standard sa më të lartë. Ne duam që të rinjtë të mësojnë të administrojnë paratë e tyre me mençuri. Duke fuqizuar fëmijët dhe të rinjtë, ne mund t’i ndihmojmë ata të transferojnë njohuritë e tyre te familjet e tyre dhe më gjerë në komunitet.
Java Globale e Parasë është event me përmasa globale, ku të gjithë aktorët e shoqërisë mund të marrin pjesë dhe të përfshihen në këto tema të rëndësishme, që nga moshat më të vogla deri tek më të rriturit.