12 Tet AMF duhet të mbështesë diversifikimin e investimeve të fondeve
Në numrin e fundit të revistës së përjavshme me profil ekonomik “Monitor” është publikuar intervista e drejtoreshës së përgjithshme të shoqërisë administruese Credins Invest, Estela Koçi
E pyetur në lidhje me situatën e impaktit të pandemisë botërore në ekonomi ajo është shprehur se kriza e papritur e COVID-19 solli një moment pasigurie tek investitorët dhe rritje të kërkesave për të tërhequr kursimet e investuara në fonde. Megjithatë, sipas saj, tregu e kaloi shpejt këtë moment dhe rënia e aseteve në këtë periudhë ka qenë e kufizuar. Ajo shprehet se, në të ardhmen, do të jetë e rëndësishme që fondet të ofrojnë alternativa më të diversifikuara dhe të sofistikuara investimi.
1. Si është ndikuar tregu i fondeve të investimit nga kriza e lidhur me pandeminë e Covid-19?
Sot, jo vetëm Shqipëria por mbarë bota po përballet me një situatë të pazakontë, ku ende ka mjaft të panjohura. Kjo pandemi ka qenë dhe mbetet ende një sfidë e jashtëzakonshme, dhe si për të gjithë edhe për ne ka qenë e vështirë, sidomos në fillimet e saj. Me krenari sot mund të them se ne në Credins Invest ia kemi dalë ta përballojmë me sukses këtë krizë në mbrojtje të shëndetit në radhë të parë, por paralelisht duke u kujdesur maksimalisht për misionin tonë, menaxhimin sa më të mirë e profesional të fondeve që klientet na kanë besuar.
Në përgjithësi, mendoj se tregu i fondeve të investimeve ka ruajtur qëndrueshmërinë gjatë kësaj krize përsa i përket nivelit të aseteve nën menaxhim, sikurse edhe nivelit të kërkuar të likuiditetit të fondeve, cilësi thelbësore e tyre. Bazuar në të dhënat më të fundit të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për 6-mujorin e mbyllur më 30.06.2020, vihet re që tregu ka patur një rënie të vlerës neto të aseteve me afërsisht 2% krahasuar me fundin e vitit, kundrejt një rritje prej 5% në 6-mujorin e vitit të kaluar. Tregu ka patur ndikim nga kriza, por mendoj se ky ndikim në kushte të jashtëzakonshme nuk është domethënës.
Fondet nga natyra janë likuidë dhe të luhatshme, edhe në kushte normale. Por kuptohet që pasiguria e madhe që ka shoqëruar çdo individ, sidomos në fillim të pandemisë, ka patur efektet e veta të cilat janë reflektuar edhe në investimet e kursimeve. Ajo që kemi vënë re është se në radhët e investitorëve ka patur pasiguri në fillim të pandemisë dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar të tërheqin kursimet e investuara në fonde. Mendoj se ka qenë një sjellje impulsive e fillimit të krizës që nuk ka prekur vetëm fondet e investimit, e që më pas është normalizuar.
Arma jonë më e fortë në këtë moment ka qenë informimi dhe komunikimi i vazhdueshëm me investitorët. Këshilla jonë e përhershme ndaj investitorëve të Fondit Credins Premium “qëndroni të investuar e mos u ndikoni nga luhatjet afatshkurtra”, gjeti shumë vlerë në këto kohë të vështira. Gjithsesi, dihet që është shumë më e lehtë t’i përmbahesh këtij rregulli në kohë normale e të qeta sesa në kohë krize e pasigurie. Për rrjedhojë, pati investitorë që i tërhoqën kursimet nga fondi i investimit. Nga ana tjetër, individët u treguan të tërhequr e skeptikë për investime të reja të kursimeve të tyre, duke tentuar ta mbajnë paranë të painvestuar. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar që fondi dhe tregu në përgjithësi të mos ketë rritjen e viteve të kaluara.
2. Cila ka qenë ecuria e vlerës së aseteve neto të fondeve nga muaji mars e në vazhdim? Keni pasur rënie të blerjes së kuotave dhe/ose rritje të shitjes së tyre nga anëtarët?
Falë edukimit financiar të kryer jo vetëm gjatë viteve të mëparshme por edhe gjatë 2020, shumë investitorë janë të njohur me faktin që kohëzgjatja e investimit është më e rëndësishme sesa momenti i investimit për të siguruar fitime të qëndrueshme në afat të gjatë. Megjithatë një pjesë e tyre e kanë të vështirë të qëndrojnë të investuar kur frikës e pasigurisë në përgjithësi i shtohet edhe luhatja e performancës së fondit, si rrjedhojë e luhatjes së normave të bonove dhe obligacioneve te emetuara nga qeveria.
Situata e krijuar nga përhapja e virusit Covid-19 impaktoi ekonominë në vend, duke rritur kërkesat dhe kostot e borxhit për Qeverinë Shqiptare në muajt e parë te vitit. Si pasojë, është vënë re një rritje e luhatshmërisë së normave të obligacioneve qeveritare gjatë këtyre muajve. Ky është një faktor tjetër që ka ndikuar në pasigurinë e investitorëve.
Ndryshe nga fondet e pensioneve vullnetare, të cilat janë investime afatgjata, fondi “Credins Premium” si një investim më afatshkurtër dhe afatmesëm është më tepër likuid, dhe brenda 7 ditësh klientët mund të tërheqin paratë e tyre. Sfida kryesore përgjatë muajve të parë të pandemisë ka qënë ruajtja, përmirësimi dhe jetëgjatësia e bashkëpunimit me klientët ekzistues, sikurse menaxhimi sa më efektiv i portofolit të aseteve duke ruajtur në çdo moment likuiditetin e fondit.
Me bindje themi që pavarësisht situatës së jashtëzakoshme, kemi arritur të mbajmë në nivele të qëndrueshme portofolin, duke ofruar konsulencë të vazhdueshme ndaj anëtarëve të cilët na kanë qëndruar besnikë dhe treguan durim duke vazhduar investimin e tyre. Këta anëtarë sot shprehen mjaft të kënaqur që nuk janë tërhequr nga fondi në periudhën e fillimit të pandemisë, dhe janë më të motivuar për të vazhduar dhe rritur investimin e tyre në fond.
3. Si e ka prekur situata e krijuar kthimin mesatar nga investimi në fondet tuaja?
Asetet e fondit investohen në titujt e emetuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye ecuria e normës së kthimit të Fondit dhe çmimit të kuotës ndikohet nga lëvizja e normave të interesit në ankandet e titujve të Qeverisë Shqiptare. Në muajt e parë të pandemisë normat e interesit në tregjet e bonove dhe obligacioneve shfaqën tendenca rritëse, duke sjellë ulje të cmimit të kuotës. Këto luhatje kanë rezultuar në ulje të normës së kthimit për investitorin, krahasuar me kthimin historik të Fondit.
Gjate muajve vijues kemi patur një rritje të normës neto të kthimit, si pasoje e uljes së normave të interesit të titujve të Qeverisë, të cilat erdhën si rrjedhoje e masave të marra nga Banka e Shqiperise, ulja e normës bazë të interesit, injektimi i likuiditetit si dhe emetimi i eurobondit. Në sajë të strategjive dhe politikave të investimit, fondi “Credins Premium”, ka arritur të performojë kënaqshëm dhe të mbetet një alternativë tërheqëse investimi.
4. A keni ndërmarrë ndryshime domethënëse në politikat e investimit pas shpërthimit të krizës?
Politika e investimit të Fondit Credins Premium është e paraqitur në prospektin e fondit, është një politikë e miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe që e ka pranuar çdo investitor me pjesëmarrjen në Fond. Ndryshimet e politikës së investimit nuk ndodhin në përgjithësi, dhe nëse ndodhin duhet të marrin dakordësinë e investitorëve dhe të autoritetit mbikëqyrës. Kriza nuk është një faktor për ndryshimin thelbësor të politikës së investimit. Epidemia e Covid-19 ishte diçka që ne nuk mund ta parashikonim, por na ka bërë të jemi më alert e në mënyrë konstante të përgatitemi për periudha luhatshmërie. Ajo çfarë ka bërë dhe bën skuadra e profesionistëve të Credins Invest, është ndërmarrja e strategjive taktike për t’iu përgjigjur në kohë ndryshimeve të tregut të titujve ku investohet fondi, duke qëndruar brenda kuadrit të politikës së miratuar të investimit.
Është shumë e rëndësishme që investitorit t’i mundësohet transparencë e plotë në lidhje me ecurinë e fondit dhe përputhshmërinë e strategjisë së ndjekur me prospektin dhe rregullat e fondit, gjë që është bërë më së miri nga Credins Invest. Çdo investitor ka mundësinë e aksesit të llogarisë on-line, që në kushtet e distancimit social ka qënë e domosdoshme. Shoqëria ka vijuar me përditësimet e website me informacione të nevojshme, sikurse ka publikuar rregullisht raportet e ecurisë së fondeve.
5. Si do t’i ndikojë kjo krizë perspektivat e zhvillimit të tregut të fondeve të investimit në Shqipëri? Mund të sugjeroni ndërhryje në nivel ligjor dhe rregullator që do t’i bënin fondet një alternatvë më atraktive investimi për publikun shqiptar?
Situata e pandemisë që vijon ende të ketë ndikim dhe pasoja shumëdimensionale, rrit pasigurinë për të ardhmen dhe e bën thuajse të pamundur cdo lloj parashikimi dhe planifikimi. Por një gjë është e sigurt, kriza të tilla i mësojnë njërëzimit që duhet patjetër të mendojnë për momente të vështira, duhet të kursejnë dhe të planifikojnë të kenë mënjanë fonde e kursime. Fondet e investimit në perspektivën time, vijojnë të jenë e ardhmja e tregut financiar. Janë produkte që do të zhvillohen më tej për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të publikut për më shumë fleksibilitet dhe përfitueshmëri.
Sa i përket kuadrit ligjor, hap shumë i rëndësishëm për këtë treg ishte miratimi i ligjit të ri, si edhe zhvillimet e pritshme të tregut të kapitalit. Ne si shoqëri administruese fondesh presim me padurim që të mund t’i ofrojmë publikut fonde më të diversifikuara, me instrumenta më të sofistikuara se titujt e borxhit qeveritar, dhe që përputhen me kërkesat në rritje të investitorëve shqiptarë. Roli i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në vijim, për mbështetjen dhe incentivimin e nismave të reja në tregun e fondeve të investimit dhe tregun e kapitalit është thelbësor.
Për artikullin në revistën Monitor mund të klikoni në këtë link: https://www.monitor.al/amf-duhet-te-mbeshtese-diversifikimin-e-investimeve-te-fondeve/