Blog

 

Java Ndërkombëtare e Parasë

Java Ndërkombëtare e Parasë

Gjithmonë e më shumë bota po orientohet drejt edukimit financiar dhe promovimit të marrëdhënies së mençur me paratë. Menaxhimi i parasë ka po aq rëndësi e ndoshta edhe më shumë se sa fitimi i saj, ndaj çdo individ duhet të krijojë objektiva të qarta për përdorimin e parave të veta. Mbi të gjitha, çdokush duhet të ndërmarrë veprime inteligjente dhe në kohën e duhur për të maksimizuar përdorimin e parasë në funksion të një jete sa më cilësore në të gjitha kuptimet.

Për këtë arsye, në shenjë simbolike dhe për të nderuar këtë marrëdhënie kaq të rëndësishme në jetën e çdokujt, është krijuar Java Ndërkombëtare e Parasë, e cila këtë vit ka përvjetorin e saj të dhjetë. Kjo javë, e cila i përket datave 21-27 Mars 2022, është konceptuar si një fushatë promovuese që ka në thelb të saj ndërgjegjësimin kryesisht të të rinjve, që të jenë sa më të vetëdijshëm për qëndrimin dhe qasjen e duhur ndaj parasë që në moshë fare të re. Sa më herët të fillojë dija dhe kultivimi i njohurive, aftësive dhe sjelleve të nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare, aq më tepër individi do të arrijë qëndrueshmëri financiare dhe mirëqenie të plotë në jetën e tij dhe të familjes së tij të mëvonshme.

Slogani zyrtar i fushatës së këtij viti është “Mëso. Kurse. Fito.” I qartë dhe i drejtpërdrejtë, ky mesazh përcjell qëllimin e vërtetë të fushatës mbi nevojën për dijen e plotë të zotërimit të marrëdhënies me paranë: për një të ardhme të qetë duhet largpamësi, vëmendje mbi rëndësinë e parasë dhe zgjuarsi në zgjedhjet e përditshme.

Çdo fëmijë dhe i ri duhet të ketë mundësi të fitojë dhe të zhvillojë zakone, njohuri, qëndrime dhe sjellje të shëndetshme financiare, për të kuptuar si të menaxhojë financat personale çdo ditë të jetës. Aksesi në edukimin financiar cilësor, është një e drejtë për çdo individ, ndaj kjo javë nxit dhe promovon jo vetëm nevojën, por dhe politikat dhe strategjitë e këtij edukimi. Kjo javë i përket të gjithëve: institucioneve financiare, organizatave të shoqërisë civile, atyre rinore, institucioneve arsimore, prindërve dhe çdo profesionisti që mund të ndikojë që të rinjtë të edukohen financiarisht.

Credins Invest, i bashkohet kësaj nisme të bukur dhe mbetet një institucion promovues i këtij vizioni jo vetëm gjatë kësaj jave, por çdo ditë të punës së tij.



 

Të nderuar Investitorë,

 

Në kuadër të përditësimit të të dhënave personale, jeni të lutur të paraqiteni fizikisht pranë zyrave të Credins Invest sh.a. për të kryer përditësimin e të dhënave tuaja, përfshirë dokumentin tuaj të identifikimit brenda afatit të skadencës.

 

Faleminderit,

Credins Invest