Mos e thyej derrkucin e kursimeve para kohe!

Mos e thyej derrkucin e kursimeve para kohe!

Shpesh harrojmë që gjërat e vogla që bëjmë sot ndikojnë të ardhmen tonë! Tërheqja e parakohshme nga llogaria e fondit të pensionit privat është një nga këto veprime që ndikon negativisht në asetet tona afatgjata në këmbim të një nevoje të momentit.

Patjetër që mund të zgjidhni të plotësoni nevojën e sotme kundrejt sigurisë të së nesërmes, por është gjithnjë e këshillueshme që ta evitoni sa më shumë të mundeni.

 Mos e thyej derrkucin e kursimeve para kohe!

Kur ishim fëmijë të gjithë kemi kursyer para tek derrkuci i famshëm. Në atë moshë shqetësimi më i madh ishte cilën lodër të blinim, cilin libër apo cilën shije akullore. Sigurisht që nuk kishim halle të tilla si blerja e një shtëpie apo shkollimi i fëmijëve. Kështu që e thyenim derrkucin pa drojë fare dhe i përdornim paratë për t’i bërë qejfin vetes. Kontributet në fondin e pensionit privat janë të ngjashme me derrkucin e kursimeve.

Me kalimin e viteve, nga të ardhurat e siguruara nga puna, ne fillojmë e kursejmë edhe për pensionin tonë. Por tashmë, kemi shumë më tepër shpenzime, si mobilimi i një shtëpie, blerja e një makine, celulari apo laptopi i fundit, shpenzimet e shkollimit të fëmijëve e të tjera. Nëse për çdo nevojë për likuiditet që na lind në të përditshmen tonë ne i drejtohemi “derrkucit të pensionit”, do të përfundojmë me një “gropë” të madhe në të ardhurat që kemi objektiv të përfitojmë në moshën e tretë.

Për t’ia vështirësuar individit tërheqjen nga fondi i pensionit vullnetar dhe për ta nxitur t’i ruajë këto kursime vetëm për një destinacion, pensionin, ligji ka vendosur penalitete. Gjithsesi, individi ka të drejtë të tërhiqet në çdo kohë, duke mbetur pa ASNJË shumë të kursyer në moshën e pensionit, ose të përfundojë me një shumë të “cunguar”, si rasti i ilustruar më poshtë:

Seida ka kursyer për 10 vite shumën 10,000 lekë në muaj në skemën e pensionit vullnetar. Në këtë periudhë, i duhet të rimobilojë shtëpinë dhe ka nevojë për likuiditete. Alternativat:

a) Tërheq 1 mln lekë nga vlera e akumuluar dhe vijon me kontributet.

b) Nuk tërheq fare nga skema e pensionit, por i drejtohet një burimi tjetër dhe vijon kontributet.

Në grafik paraqiten kurbat për 30 vite kontribute, ku tregohet “gropa” në rastin a)


Për llogaritjet e mësipërme është supozuar një normë kthimi prej 5%. Shifrat e mësipërme kanë qëllime ilustrative dhe nuk shërbejnë si tregues të ecurisë së fondeve nën administrimin e Credins Invest sha, shoqëri administruese e Fondeve të Pensionit Vullnetar dhe të Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive.