Benefitet e të Qëndruarit të Investuar

Shumë investitorë mund të jenë të njohur me konceptin që kohëzgjatja e investimit është më e rëndësishme sesa momenti i investimit për të siguruar fitime të qëndrueshme në afatgjatë. Por shumë investitorë e kanë të vështirë të qëndrojnë të investuar kur performanca përkeqësohet, një qëndrim ky që ndikon në kthimin e investimit të tyre.

Fondi Credins Premium investon në tituj borxhi të emetuar nga Shteti Shqiptar ose siç quhen ndryshe bono dhe obligacione qeveritare. Këto tituj borxhi gjenerojnë të ardhura fikse në formën e një norme fikse të quajtur kupon, normë e cila përcaktohet në ankandet që zhvillohen periodikisht nga Banka e Shqipërisë. Në varësi të mjedisit ekonomik normat e interesit mund të luhaten si në rritje ashtu dhe në zbritje nga një ankand në tjetrin. Kjo luhatje e normave ndikon në vlerën e bonove dhe obligacioneve dhe rrjedhimisht në vlerën e investimit të investitorit në fond.

Vlera e obligacioneve dhe bonove ka një relatë të zhdrejtë me normat e interesit. Kur normat e interesit të ankandit të ardhshëm të bonove dhe obligacioneve ulen, vlera e obligacioneve dhe bonove të mëparshme/vlera investimit rritet. E kundërta ndodh kur normat rriten.

Gjatë përiudhave Janar 2019 – Prill 2019 dhe Shtator 2019 – Shkurt 2020, normat e interesit në tregjet e bonove dhe obligacioneve qeveritare patën tendenca rënëse, duke sjellë rritje të çmimit të kuotës së fondit/vlerës së investimit. Ndërkohë gjatë periudhës Maj 2019 – Gusht 2019 normat e interesit në tregjet e obligacioneve qeveritare patën tendenca rritëse duke sjellë ulje të përkohshme të çmimit të kuotës së fondit/vlerës së investimit.

Këto lëvizje të caktuara që shoqërojnë një investim në obligacione, mund të rezultojnë në ulje vetëm të përkohshme të normës së kthimit për investitorin. Nëse investitori qëndron në fond përgjatë gjithë maturimit të një obligacioni, ai do fitojë një normë kthimi sa kuponi që është fiks dhe ri-investimi i kuponit me normat e tregut që kanë rezultuar gjatë kohës së obligacionit.
Le të marrim një shembull për të ilustruar situatën e shpjeguar më sipër:
Marrim si shembull një investitor i cili ka investuar një shumë prej 20,000,000 Lekë në datë 31.03.2019 në fondin Credins Premium.

Gjatë përiudhave Janar 2019 – Prill 2019 dhe Shtator 2019 – Shkurt 2020 normat e interesit në tregjet e bonove dhe obligacioneve qeveritare patën tendenca rënëse, duke sjellë rritje të çmimit të kuotës së fondit/vlerës së investimit të investitorit. Ndërkohë gjatë periudhës Maj 2019 -Gusht 2019 normat e interesit në tregjet e obligacioneve qeveritare patën tendenca rritëse, duke sjellë ulje të përkohshme të çmimit të kuotës së fondit/vlerës së investimit të investitorit.

Le të studiojmë kthimet e investitorit referuar dy sjelljeve të ndryshme të tij:

1. Investitori shet kuotat e tij në datë 30.07.2019 (kur çmimi është në rënie) dhe rihyn në fond në datë 30.11.2019 (kur çmimi është në rritje). Deri në mesin e muajit Shkurt 2020 vlera e investimit të tij do të jetë 20,057,621 Lekë.

2. Investitori ynë tregohet i duruar dhe qëndron i investuar në fond. Deri në mesin e muajit Shkurt 2020 vlera e investimit të tij do të jetë 20,166,872 Lekë.